Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste

Deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik. Brenda 3 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë. Deputetët që zgjidhen gjatë legjislaturës, e bëjnë deklarimin brenda 3 ditëve nga kryerja e betimit. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit. Çdo grup parlamentar, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh kryesinë e tij. Aktualisht grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka në përbërje 73 deputetë.