Mblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore

  • Postuar më, 06/05/2020

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore zhvilloi sot mbledhjen e rradhës në të cilën dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari informuan anëtarët për ecurinë e negociatave në kuadër të tryezës politike, me përfshirjen edhe të opozitës jashtëparlamentare.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID 19, mbledhja u realizua online nëpërmjet platformës WEB-ex dhe u ndoq njëkohësisht edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfshirë zyrën e OSBE/ODIHR dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.

Gjiknuri dhe Hajdari sqaruan se që nga momenti kur u krijua tryeza politike me përfshirjen e opozitës jashtëparlamentare dhe deri në 9 Mars është kryer një proces i gjatë pune dhe për pjesën më të madhe të rekomandimeve palët kanë gjetur formula kompromisi.

Grupi i ekspertëve të komisionit u ndal konkretisht në kapitujt e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it të adresuara deri më tani me frymën e konsensusit dhe më tej paraqiti edhe çështjet për të cilat ende nuk ka një dakordësi mes palëve siç është rasti i administratës zgjedhore.

Kjo punë sipas tyre u ndërpre për shkak të situatës së krijuar në vend me pandeminë Covid 19 çka detyroi edhe shtyrjen e afatit të Komisionit deri në 30 Qershor.

“Opozita jashtëparlamentare duhet ta shfrytëzojë këtë kohë të mbetur, sidomos këtë periudhë të muajit Maj, në mënyrë që në Qershor ne ti japim kohë Parlamentit të diskutojë lidhur me draftet dhe në fund ti miratojë ato. Ne duhet ta rifillojmë aty ku e lamë. Vullneti ynë është i hapur, dora jonë është e shtrirë, ne presim që ta adresojmë këtë çështje sëbashku, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng një proces të rëndësishëm që nuk i përket vetëm disa partive, por u përket të gjithë shqiptarëve”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ne vlerësimin e tij, nëse opozita jashtëparlamentare nuk do të rikthehet në tryezën e dialogut politik, Parlamenti i ka votat, mazhoranca i ka votat e saj dhe do të përpiqet dhe me opozitën parlamentare që të bëjë numrin e nevojshëm të votave për Kodin Zgjedhor.

Duke ju referuar punës së kryer deri më tani në tryezën politike, bashkëkryetarja Rudina Hajdari theksoi se bashkëpunimi ka ecur mirë, kemi rënë dakord për pjesën dërrmuese që ata kanë propozuar. Këshilli ka dhënë propozime, të gjitha janë duke u shqyrtuar nga ekspertët, ajo që është e rëndësishme është që ne të jemi transparent, sipas standardeve kombëtare.

Duke adresuar edhe shqetësimin e ngritur nga deputetët Murrizi dhe Gjoni, bashkëkryetarja e komisionit Hajdari siguroi se “beteja për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë”.

Në përfundim, komisioni vendosi që të vazhdojë komunikimin me opozitën jashtëparlamentare në kërkim të arritjes së konsensusit sa më të gjërë edhe për çështjet e mbetura ende në diskutim.



Share