Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim një projektligj dhe dy projekt-rezoluta

  • Postuar më, 18/05/2020

18  maj 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi në mbledhjen online të radhës projektligjin  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10221, datë 04.02.2020 "Për mbrojtjen nga diskriminimi", si dhe miratoi projekt-rezolutat e vlerësimit të veprimtarisë vjetore për vitin 2019 të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit.

Fillimisht në rendin e ditës ishte shqyrtimi në parim i projektligjit  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10221, datë 04.02.2020 “Për mbrojtjen nga diskriminimi””, nismë e propozuar nga Kryetari i Grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla dhe deputeti Alket Hyseni. Të ftuar për të dhënë sqarime për aspekte të caktuara të projektligjit ishin Komisioneri për Mbrojtje nga Diskriminimi, z.Robert Gajda, si dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.

Bashkë-nismëtari z.Alket Hyseni gjatë prezantimit të projektligjit nënvizoi se janë gati 21 shtesa dhe ndryshime të propozuara që prekin pjesë të ndryshme të ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Mes risive të nismës ai përmendi shtimin e shkaqeve dhe formave të reja të diskriminimit, rritjen e pavarësisë së institucionit te KMD, parashikimin e procedurave më të lehtësuara e të mirëpërcaktuara në funksion të një efektiviteti më të mirë në zbatimin e ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Lidhur me qëllimet e ndryshimeve ligjore, z. Hyseni u shpreh: “Së pari ka për qëllim përafrimin e ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me Direktivat e Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian; së dyti reflektimin e rekomandimeve të Komisionit Kundër Racizmit dhe Intolerancës, i cili edhe në raportin e 19 marsit 2015, ka cituar shprehimisht disa rekomandime, së treti pasqyrimin e problematikave të hasura gjatë veprimtarisë së institucionit të KMD dhe së katërti të reflektojë sugjerime dhe rekomandime të OJF të shoqërisë civile, të cilët janë aktorë shumë të rëndësishëm në bashkëpunimin me Komisionerin për realizimin e këtij qëllimi madhor”.

Relatorja e projektligjit, znj.Vasilika Hysi u ndal fillimisht tek nevoja e përmirësimeve në ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili është miratuar 10 vite më parë.  “Praktika ka evidentuar nevojën për përmirësime, të cilat së pari vijnë nga vetë dinamika e zhvillimit të shoqërisë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën. Sikurse ju e dini, me gjithë përpjekjet që po bëjnë vendet e BE-së , vendet e KE-së dhe Shqipëria, diskriminimi i disa kategorive shoqërore është problem shqetësues, madje në rritje edhe në vendet e BE-së”, u shpreh znj. Hysi. Më tej ajo nënvizoi se në kuadër të procesit të hapjes së negociatave me BE, Shqipëria ka detyrimin jo thjesht të përafrimit të legjislacionit për organet e barazisë, por dhe në ndjekjen e respektimit të të drejtave ndaj çdo shtetasi dhe kategorive shoqërore të margjinalizuara.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë, për ta vijuar shqyrtimin nen për nen në mbledhjet e radhës së komisionit.

Më tej u vijua me shqyrtimin e projekt-rezolutës për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi për vitin 2019, për të cilin kishte paraqitur dy sugjerime deputetja Vasilika Hysi.  Relatori z.Alket Hyseni sqaroi se në projekt-rezolutë janë adresuar jo vetëm arritjet apo problematikat e vitit të kaluar të KMD, por është adresuar dhe fokusi i punës së tij dhe kërkesat që ka Kuvendi ndaj këtij Komisioneri, në kuadër edhe në ndryshimeve ligjore që priten të miratohen së shpejti. Komisioni miratoi projekt-rezolutës për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi për vitin 2019 dhe ia kaloi për votim seancës plenare.

Pika e fundit e rendit të ditës së komisionit ishte shqyrtimi i projekt-rezolutës së vlerësimit të veprimtarisë vjetore të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe i Konfliktit të Interesit, për vitin 2019. Deputeti Bashkim Fino, relator i kësaj projekt-rezolute e vlerësoi si udhëzuese për punën e ILDKPKI dhe sqaroi se janë përmbushur rekomandimet e lëna nga Kuvendi. Në përfundim, komisioni miratoi projekt-rezolutën dhe ia kaloi për votim seancës plenare. 


Share