Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini

  • Postuar më, 19/05/2020

19 maj 2020

Nën drejtimin e kryetares, znj. Fatjona Dhimitri, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancën dëgjimore online, ku e ftuar ishte Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini, si dhe zëvendës ministri, z. Oltjon Rrumbullaku dhe znj. Zamira Gjini, Drejtore  e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, në këtë ministri. Pas miratimit të procesverbaleve të datave 8 dhe 12 maj 2020, fjala iu dha znj. Shahini, e cila raportoi mbi gjendjen aktuale të arsimit në vend, vijimësinë e procesit mësimor në arsimin parauniversitar dhe në atë universitar në kushtet  e pandemisë dhe masat e marra nga MASR dhe institucionet ligjzbatuese në varësi të saj për hapjen e shkollave për maturantët, si dhe auditoreve të studentëve që diplomohen në vitin akademik 2019 – 2020.

“Kemi punuar shumë që të vijojmë me procesin e mësimdhënies, në këto kushte të jashtëzakonshme. Në fillim që pas mbylljes së shkollave, kemi dalë me trasmetim të leksioneve fillimisht të shkencave si matematikë e më pas të lëndëve të tjera në tri orare në ekranin e Tvsh-së. Njëkohësisht kemi vijuar me procesin online, ku sipas statistikave tona janë përfshirë rreth 70% e nxënësve të nivelit parauniversitarë në një komunikim online. Gjatë kësaj kohe nxënësit kanë treguar vullnet dhe interes, dhe për të qenë konkret kemi pasur raportime nga drejtoritë rajonale në të gjithë vendit. Maturanët do të vijojnë provimet deri në qershor në mënyrë që të pajisen me diplomat përkatëse, për të mos u bërë pengesë për të gjitha ata që duan të konkurojnë jashtë vendit”, u shpreh në fjalën e saj ministria Shahini. Gjatë seancës dëgjimore, e cila zgjati rreth një orë e gjysëm, deputetët diskutuan dhe ngritën pyetje lidhur me arsimin në këto kushte pandemie. Deputetja, Mirela Kumbaro u ndal në universitetet private, ku kërkoi një përgjigje, nga znj. Shahini, se deri deri ku është kompetenca e Ministrisë së Arsimit në këto universitete dhe sa prej atyre e kanë hapësirën e nevojshme për të organizuar praktikat mësimore apo punët laboratorike. Ministria Shahini së bashku me zëvëndesministrin Rrumbullaku, pohuan se universitete kanë 100 % hapsirat ku disa prej lëndëve i kanë zhvilluar online, ndërsa disa lëndë të tjera që kërkojnë punë laboratorike iu është kërkuar të merren masa si në distancim ashtu dhe në kushtet higjeno-sanitare. Ato pohuan se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë rektorët e universiteteve shtetërore dhe atyre private por dhe kanë ndjekur, praktikat ndërkombëtare në universitetet e huaja. Znj. Zamira Gjini, Drejtore  e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit në këtë ministri u ndal dhe në provimet e maturës dhe mënyrës dixhitale të korrigjimit të tyre si dhe masave dhe kujdesit të ndërmarrë.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancën me platformën virtuale të komunikimit, CISCO WEBEX.


Share