Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi dy seanca dëgjimore

  • Postuar më, 19/05/2020

19 maj 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi dy dëgjesa lidhur me raportimin e veprimtarisë vjetore  të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri, si dhe të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2019.

Raporti i parë u prezantua nga z.Çelo Hoxha, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri, i cili u ndal tek problematikat dhe rezultatet e punës së këtij instituti përgjatë vitit 2019. Ndër arritjet kryesore z.Hoxha përmendi sensibilizimin publik dhe institucional mbi trashëgiminë materiale të periudhës komuniste dhe rëndësinë e saj;  hartimin e një strategjie të re edukimi për përfshirjen e historisë së komunizmit në shkolla, përmes një projekti pilot; krijimin e një database dhe ‘Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Komunizmit’; pasurimin e video-arkivës së dëshmive të regjistruara dhe serinë e botimeve ‘Zërat e kujtesës”, etj. Më tej ai prezantoi objektivat e institutit për vitin 2020, duke theksuar se prioritet do të jetë drejtësia në shtetit komunist. “E thënë ndryshe ndërsa tashmë ekziston deri diku një lloj informacioni i përgjithshëm në lidhje me krimet e kryera dhe dhunimin e të drejtave të njeriut në shtetin totalitar, pak është diskutuar për termat ligjor, kontekstin ligjor përtej akteve të dhunës, persekutimit, dhe gjithë kuadri ligjor që shoqëroi procesin e dehumanizimit nën diktaturë. Cilat janë fazat e evoluimit të ligjit socialist; si ia doli socializmi shtetëror të vinte kontroll të përgjithshëm mbi çdo sferë të jetës shoqërore në shërbim të një qëllimi të vetëm; cila ishte mendësia revolucionare në hartimin dhe zbatimin e ligjit; çfarë argumentimi ligjor ekziston përtej akteve të dhunës dhe persekutimit; cilat janë mospërputhjet e kushtetutës me kodin penal; cilat janë abuzimet dhe aktet e paligjshme në zbatimin e vetë ligjshmërisë së kohës; cila është përgjegjësia shtetërore dhe ajo individuale në këtë drejtim”, u shpreh z.Çelo. Mbi raportin vjetor të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri, relatoi deputeti Adnor Shameti, i cili vlerësoi se  përgjithësisht janë përmbushur rekomandimet e lëna nga Kuvendi në rezolutën e vitit të kaluar, si dhe paraqiti disa problematika të hasura në raport. Më pas z.Hoxha iu përgjigj disa pyetjeve të ngritura nga anëtarët e komisionit.

Seanca e dytë dëgjimore u zhvillua me znj.Pranvera Strakosha, Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC), e cila bëri me dije se vitin e kaluar i janë nënshtruar procesit të inspektimit të përgjithshëm 74 institucione nga të cilat 13 institucione të varësisë së disa ministrive dhe  61 bashkitë e vendit. Më tej znj.Strakosha theksoi se fokusi  punës kanë qenë verifikimi i procedurave dhe kritereve të rekrutimit, zbatimi i vendimeve për gjyqfituesit,  monitorimi i zbatimit të ligjit gjatë periudhës së zgjedhjeve në administratën vendore, verifikimin e zbatimit të ligjit për përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil për rastet kur nëpunësit plotësojnë moshën për të dalë në pension të plotë pleqërie. Sipas saj mbetet problem procesi i emërimit të gjyqfituesve në një pozicion të rregullt në shërbimin civil, me qëllim pagimin e tyre për punën e kryer dhe jo për shkak të një vendimi gjyqësor,  dhe për këtë sygjeroi ndërhyrje në ligjin për nëpunësin civil.

Deputetja znj.Elena Xhina gjatë relatimit të saj vlerësoi punën e bërë nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil përgjatë vitit 2019 dhe theksoi se është përmbushur me korrektësi Rezoluta e Kuvendit për vitin e kaluar. Më pas znj.Strakosha  iu përgjigj disa pyetjeve të ngritura nga relatorja dhe anëtarët e komisionit.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex. 


Share