Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi dy seanca dëgjimore

  • Postuar më, 20/05/2020

20 maj 2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, në mbledhjen virtuale të radhës, zhvilloi dy seanca dëgjimore. E  para lidhej me raportimin vjetor të veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2019, ku i ftuar ishte z.Petrit Ahmeti, Kryetari i Bordit të ERE. Në nisje të raportimit z.Ahmeti ndau me deputetët lajmin se është miratuar nga Komuniteti Europian vënia në funksionim e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, e cila prej vitesh ka qenë  e pashfrytëzuar për shkak të rregullave të tregut rajonal të energjisë elektrike.

Më tej në ekspozenë e punës së ERE për vitin 2019, z.Ahmeti u ndal në disa çështje të rëndësishme të aktivitetit të ERE, gjendjen në sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit natyror, si dhe vështirësitë e arritjet me të cilat janë përballur këta sektorë.

 Ai vlerësoi se sektori i energjisë ka patur një qëndrueshmëri për sa i takon aktivitetit të prodhimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, duke mbajtur dhe ruajtur parametra të qëndrueshëm operimi. Kreu i ERE bëri të ditur se për shkak të situatës jo të mirë hidrike, gjatë vitit 2019 është shënuar ulje e prodhimit të energjisë elektrike.  “Prodhimi i përgjithshëm i vendit ka qënë në nivelin 5.2 TWh, me një ulje prej rreth 40% krahasuar me vitin 2018, i cili duhet thënë se ka qënë një vit me prodhimin më të madh të realizuar që nga viti 1985. Ndërkohë që importi i energjisë elektrike ka qënë në vlerat 2.4 TWh;                                       Gati 57% e këtij prodhimi është prodhuar nga Shoqëria Publike e gjenerimit, pjesa tjetër prej 43% është prodhuar nga centralet private konçesionare ose jo;                                                     Humbjet në sistemin e shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë qenë në nivelin 21.79%, duke shënuar ulje të nivelit të humbjeve krahasuar me vlerën prej 23.96% të vitit 2018;                    Përgjatë vitit 2019 është vënë re gjithashtu një rritje e prodhimit të energjisë elektrike nga centralet fotovoltaik”, detajoi ai.

Ndërsa për sa i përket sektorit të gazit natyror, kreu i ERE vlerësoi se janë shënuar zhvillime efikase në strukturimin dhe funksionimin normal të tij, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur ecuria e investimit të projektit TAP.  Më tej duke u ndalur tek objektivat e vitit 2020, z.Ahmeti theksoi se do të punohet për plotësimin e kuadrit rregullator, me aktet nënligjore të përcaktuara në ligjet që rregullojnë sektorin e energjisë elektrike dhe gazit natyror. “Përgatitjen për implementimin e katër paketave legjislative, atë të paketës për Energjinë e Pastër, monitorimin e liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë elektrike dhe të operimit të Bursës së Energjisë Elektrike, në drejtim të zbutjes së efekteve tek klientët fundorë në fillimet e operimit të tij, ndarjen funksionale të operatorit të sistemit të shpërndarjes në përputhje me detyrimet ligjore dhe angazhimet ndërkombëtare, si dhe zhvillimi më tej i kuadrit rregullator për sektorin e gazit natyror, si një mundësi që i jepet vendit tonë nga përfundimi i projektit TAP”, u shpreh z.Ahmeti.  Më tej ai iu përgjigj disa pyetjeve të ngritura nga relatori Ilir Beqaj dhe anëtarët e komisionit.

Më tej komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10465, dt 20.09.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Të ftuar ishin z. Ymer Elezi nga Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar, z.Agim Rapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), z.Sinan Sinanaj dhe z.Kristas Skënderi nga Shoqata e Klinikave Veterinare, të cilët shprehën shqetësimet dhe sugjerimet e tyre konkrete për aspekte të caktuara të ligjit.                              Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex. 


Share