Komisioni për Sigurinë Kombëtare diskutoi në parim projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 “Për policinë e shtetit” të ndryshuar.

  • Postuar më, 20/05/2020

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës, në cilësinë e komisionit përgjegjës, për diskutimin në parim të projektligjit "Për  disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014, “Për policinë e shtetit”, të ndryshuar.
Propozimet për ndryshim përpara komisionit, i paraqiti z.Sandër Lleshaj, Ministër në Ministrinë e Brendshme.
Z. Lleshaj vuri në dukje se këto ndryshime, në thelb, konsistojnë në dy drejtime. “E para ka të bëjë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, komitet i cili është krijuar edhe me Aktin Normativ nr.1, por duke qenë se ky akt ka një afat vlefshmërie të kufizuar vetëm vitin 2020, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ky komitet bëhet i përhershëm dhe funksionon pranë ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me krijimin e disa instrumentave teknik në shërbim të policisë, për kryerjen e hetimeve dhe proçedimeve policore” sqaroi z. Lleshaj.

Relatorja e projektligjit per komisionin znj. Elena Xhina, shtroi disa pyetje dhe parashtroi argumentat e saj, në lidhje me propozimet për ndryshim në ligjin: “Për Policinë e Shtetit”. Në fjalën e saj znj. Xhina theksoi vëmendjen që duhet të ketë komisioni për sa i përket aspekteve që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut.
Më tej komisioni vijoi me diskutime të anëtarëve.
Në përfundim, kryetarja e komisionit, znj.Felaj, bëri me dije, se do të vijojnë diskutimet në komision, për  projektligjin në fjalë, pasi ky projektligj të kalojë për diskutim dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, meqënëse në të, bëhet fjalë dhe për disa aspekte të lirive dhe  të drejtave të njeriut.

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX.


Share