Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi dhe miratoi programin e punës për periudhën 25 maj-3 korrik dhe kalendarin e punimeve për periudhën 25 maj-12 qershor 2020.

  • Postuar më, 20/05/2020

20 maj 2020

Konferenca e Kryetarëve nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shqyrtoi dhe miratoi programin e punës për periudhën 25 maj-3 korrik dhe kalendarin e punimeve për periudhën 25 maj-12 qershor 2020. Sot, në datën 20 maj 2020, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, online me anë të mjetit të komunikimit elektronik (Cisco Webex). Mbledhja shqyrtoi, diskutoi gjerësisht dhe miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 25 maj-3 korrik 2020.Mbledhja shqyrtoi dhe miratoi me konsensus kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 25 maj-12 qershor 2020 dhe vendosi zhvillimin e seancave plenare në datat 28 maj, 4 qershor dhe 11 qershor 2020. Seancat plenare do të zhvillohen duke zbatuar rregullat dhe standartet për mbrojtjen nga COVID-19 dhe do të zgjasin tre orë, nga dy orë që ishte kufizimi i deritanishëm. Në përfundim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, tërhoqi vëmendjen se “Funksionaliteti i Kuvendit të Shqipërisë është në vijë të parë krahasuar me parlamentet e vendeve të BE-së. Kuvendi duhet të japë shembullin dhe mesazhe të qarta për publikun për mbrojtjen nga pandemia. Përgëzoj kryetarët e komisioneve për hapësirat e krijuara për të gjithë anëtarët për të diskutuar e marrë vendime. Veprimtaria e Kuvendit ka qenë transparente si asnjëherë tjetër, edhe pse në kushte pandemie. Aksesi për mediat për transmetimin e mbledhjeve të komisioneve dhe seancave plenare ka qenë i plotë. Komisionet të përshpejtojnë punën dhe brenda qershorit të gjitha institucionet e pavarura të raportojnë në Kuvend dhe të miratohen rezolutat përkatëse mbi verimtarinë e tyre.”


Share