Kuvendi dhe NDI, thirrje për ide projektimi për ngritjen e Qendrës së Vizitorëve

  • Postuar më, 23/05/2020

Në kuadër të projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, (PACEP), Kuvendi i Shqipërisë dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI) kanë shpallur një konkurs publik idesh arkitekturore për projektimin e ambienteve të Qendrës së  Vizitorëve. Në konkurs mund të marrin pjesë të gjithë arkitektët, studiot arkitekturore, profesionistët e rinj dhe fakultetet e arkitekturës e interesuar.

Projekti do të duhet të transmetojë vizionin për një Parlament të hapur, gjithëpërfshirës, të orientuar nga të rinjtë, inovativ, miqësor ndaj mjedisit, energji efiçente dhe i orientuar nga e ardhmja. Një vëmendje në idenë e projektimit të qendrës së vizitorëve do ti jepet projektimit universal për personat me aftësi të kufizuar. 

Konceptimi dhe krijimi i Qendrës së Vizitorëve është pjesë e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili zbatohet nga NDI dhe Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen e qeverisë zvicerane.

Themelimi i Qendrës së Vizitorëve synon të rrisë nivelin e besimit të qytetarëve në punën e legjislativit përmes themelimit të një hapësire që mundëson përfshirjen e qytetarëve në punët e Kuvendit, si dhe ndërveprimin e tyre me deputetët duke bërë që Kuvendi të riafirmohet si një institucion i hapur, pranë qytetarëve.

Për më shumë informacion rreth afateve dhe dokumentacionit të kërkuar, mund të konsultoheni në linkun:

https://drive.google.com/…/1qTZMz8keVTXSndEK2ddGPtQk6…/view

 


Share