Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Festën e Fiter Bajramit: Besimi, dashuria e shpresa, dhe jo frika, urrejtja e ftohtësia janë vlerat që na udhëheqin në jetë

  • Postuar më, 23/05/2020

23 maj 2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, me rastin e  Festës së Fiter Bajramit.

“Fiter Bajrami, kjo ditë e kurorëzimit  të agjërimit, është në të njëjtën kohë festivali i besimit, dashurisë, shpresës dhe humanizmit.

Muaji i Ramazanit që sapo u mbyll ishte një sakrificë fisnike brenda një dhimbjeje të madhe e të heshtur njerëzore e globale, të shkaktuar nga rreziku i koronavirusit.  Pandemia i pengoi besimtarët myslimanë të ushtronin ritet fetare mijëravjeçare dhe t’u bashkoheshin familjarëve, të afërme e miqve në shtëpi, xhamitë e qendrat komunitare, për t’u lutur, ndihmuar, dhuruar dhe admiruar njeri-tjetrin, për të kremtuar bashkarisht iftaret, namazet, festimet dhe çastet e gëzuara me të dashurit.

Por myslimanët, ashtu si të gjithë shqiptarët, besimtarë apo jo besimtarë, rezistuan dhe po fitojnë. Besimtarët i ushtruan ritet, agjëruan, gëzuan, shpresuan brenda vatrave të tyre familjare. Ata provuan se besimi, dashuria e shpresa, dhe jo frika e ftohtësi janë vlerat që i udhëheqin në jetë.

Ky është Fiter Bajrami i parë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe na gjen në nisje të daljes nga pandemia e koronavirusit. Prandaj një mesazh solidariteti e dashurie kam për të gjithë besimtarët që nga koronavirusi humbën të dashurit e tyre dhe nga tërmeti humbën shtëpitë.  Të prekurve nga COVID-19 u uroj shërim të shpejtë dhe të dëmtuarve nga tërmeti u uroj të kthehen sa më shpejt dhe të lumtur në shtëpitë e tyre të reja, për të cilat nxis Qeverinë të përshpejtojë Programin e Rindërtimit. 

Me këtë rast shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për komunitetin mysliman dhe kontributin e institucioneve fetare për të motivuar besimtarët dhe të gjithë qytetarët të përballojne me stoicizëm pasojat dhe rregullat mbrojtëse nga koronavirusi dhe të mbrojnë shenjtërinë e jetëve njerëzore.

Shëndet, paqe e lumturi në familjet e të gjithë shqiptarëve!

Uroj që kjo të jetë festa e fundit që e festojmë të izoluar dhe shumë shpejt të kthehemi të gjithë në jetën normale dhe gëzimet e saj!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij të urimit me rastin e Festës së Fiter Bajramit.


Share