Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut rrëzoi në parim një projektligj dhe zhvilloi një dëgjese për raportimin e veprimtarisë vjetore të KPP për vitin 2019

  • Postuar më, 27/05/2020

27 maj 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës në mbledhjen virtuale të radhës shqyrtoi projektligjin “Për përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe të punësimit në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish - funksionarëve, nëpunësve qe kanë ushtruar detyra drejtuese në periudhën 28.11.1944 - 08.12.1990”, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me Kryetaren e Komisionit të Prokurimit Publik, për raportimin e veprimtarisë vjetore për vitin 2019.

Projektligji nismë e 21 deputetëve të opozitës parlamentare, u prezantua nga z.Myslym Murrizi, i cili u bëri të ditur deputetëve të komisionit arsyet e sjelljes së  kësaj nisme ligjore në Kuvend. Sipas tij ka ardhur koha që pas 30 vitesh post komunizëm, nisur edhe nga dy kërkesa të njëpasnjëshme të Këshillit të Europës për dënimet ndërkombëtare të krimeve të regjimeve totalitare  komuniste, në Shqipëri të ketë një ligj që e ndan përfundimisht nga e kaluara komuniste. Më tej z.Murrizi nënvizoi se shqiptarët meritojnë që  në organet e reja të drejtësisë, të ngritura në zbatim të  Reformës në Drejtësi, të mos ketë ish-hetues, ish-prokurorë apo ish-gjykatës të kohës së komunizmit.

Deputeti Alket Hyseni gjatë relatimit të tij bëri një historik të shkurtër për ligjin e lustracionit  në Shqipëri që prej vitit 1993 deri më sot, si dhe standardet ndërkombëtare në këtë fushë, duke u bazuar tek Rezoluta nr.1096, e vitit 1996 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për masat për çrrënjosjen  e trashëgimisë së ish-sistemeve totalitare komuniste”. 

Më tej duke iu referuar përmbajtjes, z.Hyseni vlerësoi se iniciativa është në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën,  vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe me opinionin “Amicus curiae” nr. 524 , të vitit 2009 të Komisionit Europian për Demokracinë, i njohur si Komisioni i Venecias.

Z.Hyseni argumentoi për tej se nismëtarët  nuk kanë përcaktuar në relacion nevojën dhe shkaqet e shtuara nga ato të paraqitura në vitin 2008, (ligj që është shfuqizuar);  ndërkohë që projeligji nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm që përcakton fajin individual;  përjashton nga zgjedhja  në kundërshtim të hapur me standardet ndërkombëtare sipas të cilave lustracioni nuk duhet zbatuar në funksionet e zgjedhshme, përveçse kur kërkohet nga kandidatët ; nuk përcaktohet një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit dhe së fundi kufizon të drejtën e punës dhe të drejtën e aksesit në shërbime publike.  Për të gjitha argumentet e mësipërme, z.Hyseni  kërkoi mos miratimin në parim të projektligjit dhe ftoi deputetët e komisionit të votojnë kundër tij në parim. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi në parim projektligjin në fjalë dhe vendimi do ti përcillet seancës plenare.

Më tej mbledhja e komisionit vijoi me dëgjesën me Kryetaren e Komisionit të Prokurimit Publik, znj. Evis Shurdha për raportimin e veprimtarisë vjetore të këtij institucioni për vitin 2019. Znj.Shurdha bëri një ekspoze të raportit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në hapat e ndërmarrë për zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit për vitin 2019.  Lidhur me numrin e ankesave të regjistruar për vitin 2019, znj.Shurdha bëri të ditur se janë 1052 ankesa në total, 10 % më pak se viti i kaluar, dhe pjesë më e madh e ankesa lidhen me procedurat për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike. Më tej znj.Shurdha iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit.  

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës virtuale  Cisco Webex.



Share