Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Kryeparlamentarin kroat, z. Gordan Jandrokovic, me rastin e Ditës së Shtetësisë: Kroacia, një vend mik, aleat dhe partner në NATO.

  • Postuar më, 30/05/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të  Kroacisë, z. Gordan Jandrokovic, me rastin e Ditës së Shtetësisë.


“Me rastin e Ditës së Shtetësisë, 30-vjetorit të Parlamentit të parë pluralist  të Republikës së Kroacisë, dërgoj urimet më të mira për Ju, Parlamentin e Kroacisë dhe popullin mik kroat.
Konstituimi më 30 Maj të vitit 1990 i  Parlamentit të parë pluralist  të Republikës së Kroacisë, pas zgjedhjeve të para të lira e demokratike, është një ngjarje e madhe historike jo vetëm për parlamentarizmin, por për demokracinë, modernizimin, prosperiterin dhe të ardhmen e Kroacisë.
Është një koincidencë e bukur që 30-vjetori i kësaj ngjarjeje të shënuar kremtohet në mbyllje të Presidencës Kroate të BE-së, gjatë së cilës Shqipëria mori vendimin historik për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Përfitoj nga ky rast për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për  mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia, Parlamentit kroat dhe Ju personalisht i keni dhënë procesit të integrimit europian të Shqipërisë si edhe perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
Shqipërinë dhe Kroacinë i lidh një miqësi e gjatë, e cila i ka rrënjët, midis të tjerash, edhe në lidhjet e vjetra historike dhe prezencën e Diasporës shqiptare në vendin Tuaj.
Shqipëria e konsideron Kroacinë një vend mik, aleat dhe partner në NATO dhe vlerëson rolin e kontributin e vendit Tuaj në zhvillimin, paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.
Dëshiroj gjithashtu tJu përgëzoj për menaxhimin me sukses të situatës së krijuar prej pandemisë së Covid-19 dhe jam i bindur se Kroacia do të përballojë po me kaq sukses edhe normalizimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit dhe strategjinë e daljes nga pandemia.
Duke përfunduar, Ju uroj suksese në zgjedhjet parlamentare të 5 korrikut!”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e urimit  dërguar Kryetarit të Parlamentit të  Kroacisë, z. Gordan Jandrokovic, me rastin e Ditës së Shtetësisë.




Share