Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miraton ndryshimet në ligjin “Për shërbimin veterinar”

  • Postuar më, 01/06/2020

Në drejtimin e kryetarit, z. Enver Roshi, Komisioni Për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme zhvilluar online, mori në shqyrtim projektligjin: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Për të folur  rreth projektligjit në komision ishte i ftuar Arjan Jaupllari, Drejtor i Përgjithshëm ne Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili sqaroi se këto ndryshime janë pjesë e reformës së shërbimit veterinar për arritjen e objektivave dhe standardeve të BE-së, të përcaktuara në politikat dhe strategjitë e qeverisë në tërësi dhe të MBZHR-së në veçanti.
“Projektligji, për herë të parë, parashikon që institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në raste të konstatuara ose të dyshimta për mospërputhje me standardet e sigurisë ushqimore dhe që shkaku mund të jetë kafsha e gjallë, për të vlerësuar shkakun e origjinës, mund të kryejë gjurmim në fermën e kafshëve të gjalla. Në këtë rast, shërbimi veterinar rajonal mbështet institucionin përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë” tha z. Jaupllari,  në fjalën e tij
Për komisionin projektligjin e relatoi znj. Edlira Bode.
Mes të tjerash  znj. Bode theksoi: “ky projektligj ka për objektiv të forcojë masat parandaluese e të kontrollit të sëmundjeve të kafshëve nëpërmjet forcimit të strukturave të kontrollit dhe shërbimit, për të garantuar mbrojtjen e shëndetit publik nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët”
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX


Share