Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi tre projektligje dhe dy projekt-rezoluta
- Postuar më, 01/06/2020
1 qershor 2020
Komisioni për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin
e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen virtuale të radhës,
shqyrtoi dhe miratoi tre projektligje, si dhe projekt-Rezolutat për vlerësimin
të veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, si
dhe të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2019.
Rendi i ditës nisi me
shqyrtimin e projektligjit "Për aderimin
e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të
Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”, që u prezantua nga zëvendësministrja
e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Dorina Çinari dhe u relatua nga deputetja Aurora Mara. Znj.Çinari theksoi se miratimi i
këtij projektligji synon përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet në
marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria aderon në fushën e komunikimeve
elektronike. Deri më tani Shqipëria është një nga vendet që nuk ka aderuar ende
në Konventën e ndryshuar. Projektligji në fjalë u miratua në parim dhe në tërësi
nga deputetët e komisionit.
Ndërsa projektligji
“Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për
të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në
vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”,
ratifikuar me ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000” u prezantua nga z. Ardian
Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit Deputetja
Aurora Mara gjatë relatimit të saj shpjegoi
se qëllimi i këtij projektligji është që të pasqyrojë ndryshimet që i kanë
ndodhur tekstit të Konventës së Aarhusit, e cila është ratifikuar nga shteti
shqiptar në vitin 2010. “Ndryshimet konsistojnë në përfshirjen e procesit të
informimit dhe të tërheqjes së publikut në vendimmarrjet për organizmat e
modifikuara gjenetikisht”, u shpreh znj.Mara. Pas diskutimeve, projektligji në
fjalë u miratua në parim dhe në tërësi.
Më tej, në cilësinë
e komisionit përgjegjës, u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa
dhe ndryshime në ligjin nr. 10242, datë 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve
për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”. Projektligji nismë e dy deputetëve
të grupit parlamentar socialist Adnor Shameti dhe Alket Hyseni, u relatua nga deputeti
Bashkim Fino, i cili sqaroi se ndryshimet e propozuara lidhen me nenin 19 të
ligjit aktual dhe synojnë unifikimin dhe harmonizimin e praktikës së miratimit
të strukturës, organikës dhe nivelit të pagave për institucionet e pavarura dhe
ato të krijuara me ligj. Më tej z.Fino sqaroi se ligji aktual ngarkon Kuvendin
e Shqipërisë me detyrën dhe përgjegjësinë për emërimin e anëtarëve të Bordit të
Institutit, si dhe shkarkimin e tyre në rastet e përcaktuara në ligj, si dhe raporton
çdo vit në Kuvendin e Shqipërisë mbi veprimtarinë vjetore të tij. “Ndonëse
buxheti i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri,
si pjesë e Buxhetit të Shtetit që ne e kemi miratuar, shqyrtohet dhe miratohet
në Kuvend, struktura, organika dhe niveli i pagave të tij nuk miratohen me
vendim të Kuvendit, por me vendim të Këshillit të Ministrave”, u shpreh z.Fino.
Projektligji u miratua në parim dhe në tërësi nga deputetët e komisionit.
Mbledhja e
komisionit vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e projekt-rezolutave të vlerësimit
të veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe
Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2019. Në mbledhjet e mëparshme,
komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut,
në cilësinë e komisionit përgjegjës ka shqyrtuar raportet dhe ka zhvilluar
seanca dëgjimore me drejtuesit përkatës të këtyre institucioneve.