Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e OSBE-së, z. Bernd Borchardt, dhe Ambasadorin e Zvicrës, z. Adrian Maître: Kuvendi i Shqipërisë, ndër parlamentet e parë në Europë për funksionimin online gjatë pandemisë

  • Postuar më, 02/06/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi,  priti sot Ambasadorin e OSBE-së, z.  Bernd Borchardt, dhe Ambasadorin e Zvicrës, z. Adrian Maître. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të projektit “Mbështetje Kuvendit dhe Projektit për Edukimin Qytetar”, PACEP. Projekti mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe do të zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Zyra e Institutit Kombëtar Demokrat të ShBA në Shqipëri. Marrëveshja për zbatimin e projektit midis Qeverisë së Shqipërisë, Qeverisë së Zvicrës dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri është nëshkruar në qershor 2019. Projekti synon të fuqizojë Kuvendin e Shqipërisë, në kryerjen e funksioneve legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese në mënyrë sa më efikase, si edhe të nxisë pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes legjislative. Projekti po kontribon në ngritjen e sistemit e-legislation për Kuvendin, i cili do të mundësojë digjitalizimin e të gjithë procesit ligjvënës, duke qenë transparent dhe i aksesueshëm nga publiku dhe gjithë aktorët e interesuar. Projekti do të mbështesë ngritjen e Institutit Parlamentar, duke u mbështetur në ekspertizën e Institutit Kombëtar Demokrat Amerikan, si edhe do të fuqizojë shërbimet thelbësore të Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi  Ambasadorin e Zvicrës Maître për financimin e këtij projekti si edhe Ambasadorin e OSBE-së Borchardt për fillimin  e suksesshëm të zbatimit të tij. “Fillimi i zbatimit të projektit erdhi në një kohë që para Kuvendit të Shqipërisë u shtrua imperativi i funksionimit online dhe kontributi i projektit PACEP ishte një mbështetje e madhe për zhvillimin online të mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive të tjera parlamentare. Në këtë mënyrë Kuvendi i përmbushi me sukses funksionet tij ligjjvënëse dhe kontrolluese edhe gjatë pandemisë. Ishte edhe kontribut i këtij projekti që Kuvendi siguroi transparencë maksimale dhe akses të oplotë të medias dhe qytetarëve në veprimtarinë parlamentare gjatë pandemisë.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi. Ambasadori i OSBE-së, z.  Bernd Borchardt, nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë është ndër parlamentet e parë europianë që funksionoi online dhe krijoi një eksperiencë unike, të dobishme edhe për parlamentet e tjera, sidomos për sigurimin e informimit në kohë reale për veprimtaritë parlamentare,  transparencën e mbledhjes së komisioneve dhe veprimtarive të tjera si edhe informimin e publikut dhe qytetarëve. Ambasadori i Zvicrës, z. Adrian Maître, vuri në dukje se “Kuvendi i Shqipërisë përmes përdorimit të platformave online të punës, funksionoi me intensitet dhe produktivitet të lartë edhe gjatë pandemisë së Covid-19, duke përmbushur detyrat ndaj vendit dhe qytetarëve. Gjatë këtyre muajve Kuvendi i Shqipërisë krijoi një eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila mund t’u shërbeje edhe parlamenteve të Zvicrës dhe vendeve të tjera të Europës . Dhe Ju, si Kryetar, meritoni përgëzime për lidershipin Tuaj të pjekur dhe te balancuar në forcimin punës online, transparencës, dhe platformës për koordinimin e institucioneve të pavarura.”Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi  dhe ambasadorët Bernd Borchardt dhe Adrian Maître biseduan dhe vlerësuan masat e Qeverisë së Shqipërisë për daljen nga pandemia, fillimin e rritjes  së ekonomisë dhe normalizimin e jetës ekonomike e sociale të vendit. Gjithashtu, z. Ruçi dhe ambasadorët Borchardt dhe Maître diksutuan edhe mbi ecurinë e reformës zgjedhore si edhe objektivin e Kuvendit që reforma të kryhet brenda këtij sesioni parlamentar.


Share