Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut seancë dëgjimore për veprimtarinë e Avokatit të Popullit përgjatë vitit 2019

  • Postuar më, 03/06/2020

3 qershor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen virtuale të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi dy seanca dëgjimore, njëra prej të cilave ishte vazhdimi i seancës së mëparshme me Kryetaren e Komisionit të Prokurimit Publik, Evis Shurdha, për raportimin e veprimtarisë vjetore për vitin 2019. Në seancën e sotme, znj.Shurdha iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni, kryesisht me çështjet e ankimuara të KPP në Gjykatë dhe problematikën e vakancave në strukturën e institucionit.

Më pas mbledhja vijoi me një seancë dëgjimore me Avokatin e Popullit, znj.Erinda Ballanca, për raportimin e veprimtarisë vjetore për vitin 2019. Znj.Ballanca gjatë parashtresës së raportit u ndal në disa çështje që shqetësonin institucionin, të cilat lidheshin me kapacitetet e kufizuara buxhetore dhe njerëzore. Sipas saj, shqetësimi kryesor i Avokatit të Popullit mbetet mungesa e cilësisë efektive të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Deputetja  znj.Vasilika Hysi gjatë relatimit të saj parashtroi disa problematika të hasura në raport, si dhe vlerësoi se nga 6 rekomandime të lëna nga Kuvendi në Rezolutën e vitit të kaluar, nga ana e Avokatit të Popullit janë plotësuar 4 prej tyre dhe 2 janë në proces. Rekomandimet ende të parealizuara lidhen me ndjekjen sistematike të zbatimit të rekomandimeve që jep për institucionet e tjera dhe bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e Avokatit të Popullit me organizatat homologe.

Më tej znj.Ballanca iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me uljen e numrit të ankesave tek Avokati i Popullit, zbatimit të marrëveshjes së FRONTEX, rolit të Policisë së Shtetit përgjatë zhvillimit të protestave, veprimtarisë së situatës së respektimit të të drejtave të njeriut nga administrata publike, etj.


Share