Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi dy seanca dëgjimore për veprimtarinë e KLGj dhe KLP përgjatë vitit 2019
- Postuar më, 10/06/2020
10 qershor 2020
Komisioni për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e
kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës,
zhvilloi dy dëgjesa lidhur me raportimin e veprimtarisë vjetore për vitin 2019
të dy organeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë: Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të
Prokurorisë.
Raporti i parë u prezantua nga znj. Naureda Llagami, kryetare e KLGJ-së, e cila bëri një ekspoze të plotë të veprimtarisë së këtij organi gjatë vitit të parë të konstituimit, si dhe gjendjen e sistemit gjyqësor në vend. Znj.Llagami detajoi hapat e ndërmarra nga komisionet përbërëse të KLGJ për vitin 2019, punën e bërë për hartimin e Planit Strategjik të këtij institucioni; rolin e KLGJ në procesin kalimtar të vlerësimit të gjyqtarëve dhe masat e marra nga Këshilli me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së sistemit. Më tej ajo u ndal në ngritjen e Këshillave të Gjykatave si njësi drejtuese për çdo gjykatë; plotësimin e vakumit të krijuar nga shkarkimet e kryetarëve të gjykatave si pjesë e procesit të vettingut, etj. Ndër prioritetet kryesore të punës së KLGJ, znj.Llagami theksoi nisjen e procesit të ri-funksionalizimit të Gjykatës së Lartë, si dhe ngritjen dhe funksionimin e Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Deputeti Adnor Shameti, në relatimin e raportit vlerësoi punën e jashtëzakonshme të bërë nga KLGJ dhe u ndal shkurtimisht tek problematikat e hasura përgjatë vitit të kaluar. Më tej z. Shameti paraqiti disa sygjerime për rekomandimet që duhet të përfshihen në Rezolutën e Kuvendit për veprimtarinë e KLGJ-së për vitin 2020, ku mes tyre theksoi rëndësinë e përfundimit sa më shpejtë të procedurës për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, çka është dhe një kusht për çeljen e negociatave dhe pranimin e vendit në BE. Sipas tij kjo duhet të jetë shtylla kryesore e veprimtarisë së punës së këtij organi. Më tej znj.Llagami iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve lidhur me funksionimin e KLGJ-së, emërimeve në Gjykatën e Lartë, procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, etj.
Në seancën e dytë dëgjimore, z. Gent Ibrahimi, kryetar i KLP-së, bëri një përmbledhje të raportit të parë vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pasqyron veprimtarinë e realizuar nga Komisionet e Përhershme të KLP, aktet nënligjore të miratuara, marrëdhëniet me Shkollën e Magjistraturës, veprimtarinë administrativo-financiare, raportet me institucionet e tjera, etj. Z.Ibrahimi u ndal në mënyrë të veçantë në dy momente kryesore që sipas tij kanë shenjuar veprimtarinë e KLP në vitin 2019: themelimi i Prokurorisë së Posaçme dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai vlerësoi se tashmë“janë hedhur themelet e meritokracisë në sistemin e Prokurorisë duke hartuar rregulla, sa komplekse aq të efektshme, për identifikimin dhe individualizimin e rezultateve profesionale të prokurorëve dhe përdorimin e këtyre rezultateve si bazë ekskluzive për të gjitha vendimet e Këshillit mbi karrierën e prokurorëve”.
Deputetja Klotilda Bushka, gjatë relatimit të saj u
përqendrua në vlerësimin e punës së bërë nga KLP për hartimin dhe miratimin e
akteve nënligjore në kuadër të zbatimit të paketës së reformës në drejtësi. Më
tej znj.Bushka parashtroi disa rekomandime për tu përfshirë në Rezolutën e
Kuvendit për veprimtarinë e KLP-së për vitin 2020, mes të cilave, vijimin e procedurës
për përzgjedhjen e prokurorëve të tjerë dhe plotësimin e vakancave në SPAK, finalizimin
dhe miratimin e akteve nënligjore normative të cilat normojnë administrimin e
karrierës së prokurorëve në përputhje me meritokracinë, etj. Më pas z.Ibrahimi iu përgjigj pyetjeve të deputetëve
të komisionit.