Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”
- Postuar më, 12/06/2020
12 qershor 2020
Komisioni për
Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin
e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës,
në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për të
drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Të ftuar për të
marrë pjesë në diskutime ishin ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj, Komisionerë
të Avokatit të Popullit, përfaqësues nga OSBE, misioni EURALIUS, Drejtoria e Përgjithshme
e Burgjeve, Prokuroria e Përgjithshme.
Në prezantimin e
saj, znj. Gjonaj u ndal shkurtimisht tek nevoja e sjelljes së ndryshimeve
ligjore, të cilat janë pjesë e paketës së reformës në sistemin peritenciar dhe
mbi të gjitha janë në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, konventat,
rregullat evropiane të burgjeve, por njëkohësisht edhe Konventën Evropiane të
të Drejtave të Njeriut.
Më tej ajo theksoi se
ajo çka sjell si risi ky projektligj: “nuk ka të bëjë vetëm me një ristrukturim
më të mirë në krahasim me ligjin aktual, por nga ana tjetër garanton edhe një sërë
parimesh që kanë të bëjnë me trajtimin e përshtatshëm të të dënuarve dhe të
paraburgosurve; për të pasur një përkujdesje shëndetësore shumë më të mirë dhe
garantuese për personat që ndodhen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve
penale; por gjithashtu edhe për të garantuar një ekzekutim më të mirë të
vendimeve penale”.
Deputetja Vasilika Hysi,
gjatë relatimit të saj për komisionin vlerësoi se projektligji është në përputhje
jo vetëm me standardet që përcakton Kushtetuta, por dhe me konventat ndërkombëtare
dhe gjithë legjislacionin që Shqipëria ka ratifikuar dhe e ka bërë pjesë të
detyrueshme të legjislacionit të saj.
Znj.Hysi bëri të ditur se projektligji pas miratimit në parim, i është nënshtruar edhe një konsultimi të gjerë publik në Kuvend me pjesëmarrjen e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, për të shprehur opinionet, mendimet dhe sugjerimet e tyre, të cilat janë reflektuar dhe kanë sjellë përmirësime në nene të caktuara të projektligjit. Sipas saj janë marrë parasysh rekomandimet e bëra në lidhje me kategori të caktuara të të dënuarve: si gratë, të miturit personat me aftësi të kufizuar, etj, por dhe vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Më pas u vijua me diskutime dhe shqyrtimin nen për nen të projektligjit, ndërkohë që votimi në tërësi do të vijoj në mbledhjen e radhës së komisionit.
Mbledhja e sotme e
komisionit u zhvillua nëpërmjet platformës WEBEX.