Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Kryenegociatorin, z. Zef Mazi: Integrimi, kryeçështja që bashkon politikën shqiptare

  • Postuar më, 26/06/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryenegociatorin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, z. Zef Mazi.
Kryetari i Kuvendit e uroi z. Mazi për detyrën shumë të rëndësishme dhe e garantoi për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në realizimin me sukses të misionit të tij të lartë të negociatave me Bashkimin Europian.
“Për çështjen e integrimit europian të Shqipërisë nuk kemi asgjë që na ndan si forca politike. Integrimi është kryeçështja që na bashkon. Unë do të bëj të gjitha përpjekjet që integrimi të mos përdoret si një çështje politike dhe elektorale, por si kryeçështja që bashkon politikën shqiptare. Për këtë duhet të mësojmë edhe nga përvojat e vendeve të tjera të suksesshme në rrugëtimin e tyre europian.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Kuvendi është angazhuar maksimalisht në përballimin e detyrave të veta për procesin e integrimit europian, nëpërmjet përshpejtimit të ritmit të reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore, përafrimit të legjislacionit vendas me standartet e BE-së; kontrollit të zbatimit të detyrimeve e reformave të anëtarësimit; promovimit të integrimit nëpërmjet bashkëpunimit ndërparlamentar e diplomacisë parlamentare dhe informimit të publikut dhe qytetarëve si edhe përfshirjes e mbështetjes së tyre.
Kryenegociatori Mazi e informoi Kryetarin e Kuvendit mbi aspektet dhe dimensionet kryesore të punës së tij si Kryengociator dhe të grupit të negociimit: koordinimin e punës brenda vendit me ministritë, qeverisjen vendore, shoqërinë civile dhe median; procesin e negociatave me Komisionin Europoian; lobimin dhe bashkëpunimin me vendet anëtare.
Dimensioni parlamentar i procesit të negociatave dhe diplomacia parlamentare janë një element kyç për suksesin e tyre.




Share