Kuvendi i Shqipërisë vlerëson rolin thelbësor të nëpunësve/eve të barazisë gjinore në institucionet qëndrore dhe vendore, në periudhën e pandemisë Covid-19

  • Postuar më, 29/06/2020

 

Më datë 26 qershor 2020 u mbajt takimi konsultues i nivelit të lartë mbi “Rolin thelbësor të nëpunësve/eve të barazisë gjinore në përgjigjen e Shqipërisë ndaj situatës post-COVID-19”, në kuadër të komponentit “Gratë, Paqja dhe Siguria”, projekti i USAID-it për planifikimin dhe qeverisjen vendore (PLGP).

Në takim morën pjesë znj. Vasilika Hysi në cilësinë e kryetares së nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut dhe znj. Eglantina Gjermeni, kryetare e nënkomisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin Dhunës ndaj Gruas.

Gjatë takimit u diskutuan gjetjet e analizës së vlerësimit funksional të nëpunësve të barazisë gjinore në nivelin e njësive të vetëqeverisjes vendore në Shqipëri. Për shkak të rëndësisë dhe domosdoshëmrisë së rolit të nëpunësve gjinorë në nivel bashkie, u prezantuan disa skenarë me fokus përfshirjen e pozicionit tërësisht të përkushtuar e me kohë të plotë të barazisë gjinore, si edhe detyrat e përgjëgjësitë që mund të realizojnë. Sfidat e lidhura me situatën COVID-19 sidomos për gratë dhe vajzat në Shqipëri, rrisin më shumë përgjegjësitë dhe angazhimet e nëpunësve gjinorë. Përmes angazhimit dhe kontributit të nëpunësve gjinorë në nivel vendor, politikat vendore do të jenë më përfshirëse, më efikase dhe të orientuara ndaj grupeve më në nevojë.

 Kuvendi i Shqipërisë i kushton rëndësi të veçantë forcimit të mekanizmave gjinorë në nivel vendor për adresimin e nevojave të  grave, fëmijëve dhe personave më në nevojë, si dhe ka vullnetin e angazhimin për të përmirësuar legjislacionin ekzisutes dhe monitoruar zbatimin e tij në praktikë.

 

 


Share