Zhvillohet mbledhje e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

  • Postuar më, 30/06/2020

30 qershor 2020

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua sot mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, lidhur me procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare.

Në nisje të mbledhjes, Kryetari Ruçi bëri të ditur rendin e ditës, që ishte: miratimi i procedurës dhe kalendarit të shqyrtimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”; caktimi i nismës nga nismëtari; caktimi i relatorëve; caktimi i mënyrës së njohjes së projektligjit nga zgjedhësit; miratimi i ekspertëve konstitucionalist; miratimi i kalendarit të seancave dëgjimore deri në shqyrtimin në seancë plenare

Në emër të nismëtarëve, z. Myslym Murrizi, Kryetari i Grupit parlamentar Demokrat, prezantoi nismën për rishikimin e 2 neneve të Kushtetutës, konkretisht nenit 64 dhe 68 të saj. “Nisma jonë për të ndryshuar Kushtetutën erdhi si pasojë e dështimit të referendumit të kërkuar nga 50 mijë zgjedhës të dërguar në KQZ, sipas Kushtetutës, nga qytetarë të ndryshëm të Republikës së Shqipërisë në të drejtën e tyre kushtetuese që kërkonin ndryshimin kushtetues për sistemin zgjedhor”, u shpreh z.Murrizi, i cili argumentoi më tej kërkesën e tyre për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave të deputetëve.

Z. Edmond Stojku, Kryetari i Grupit parlamentar "Demokraci dhe drejtësi" në fjalën e tij theksoi se marrëveshja politike për Reformën Zgjedhore e arritur më datën 5 qershor 2020, nuk prodhoi reformë, pasi nuk kishte asnjë element të quajtur reformë dhe ishte vetëm marrëveshja e radhës, pa garanci se gjërat do të ndryshojnë. Më tej ai thekoi nevojën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, sepse sipas tij: “listat e hapura do të sjellin rritjen e nivelit të përfaqësimit, frymën e garës konkurruese edhe brenda forcës politike, jo vetëm ndërmjet forcave politike”.

Z.Nimet Musai, Kryetar i Grupit parlamentar të Pavarur u shpreh se “kontaktet me qytetarët gjatë gjithë kësaj periudhe na kanë sjellë të drejtën tonë që jo vetëm të kërkojmë listat e hapura, por në këtë komision të rëndësishëm edhe pragun elektoral ta shohim si prag natyral”. Më tej  ai shtoi se listat e hapura në rang kombëtar  sot është çështje e ditës. “Nuk ka qenë qëllim në vetvete i joni, i deputetëve të opozitës parlamentare që ne të jemi apo jo deputetë të këtij parlamenti, absolutisht , kjo është e ardhmja e shqiptarëve”, përfundoi ai.

Më tej u vijua me caktimin e relatorëve të projekligjit. Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z.Ulsi Manja propozoi si relatorë deputetët Klotilda Bushka dhe Alket Hyseni. Ndërsa propozimet e opozitës parlamentare për relatorët do të bëhen të ditura në seancën e radhës.

Mbledhja vijoi me caktimin e ekspertëve konsitucionalistë.  Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z.Ulsi Manja, në dakordësi me Këshillin e Legjislacionit propozoi 4 ekspertët: Erind Mërkuri, Adea Firdeni, Ilir Rusmaijli dhe Elira Kokona. Propozimet u pranuan edhe nga krerët e grupeve parlamentare të opozitës parlamentare. 

Më tej Kryetari z.Ruçi bëri të ditur kalendarin e punimeve të Këshillit të Legjislacionit, seancave dëgjimore me shoqërinë civile, botën akademike, partnerët ndërkombëtarë, etj, si dhe kalendarin e shqyrtimit të projekligjit në  seancë plenare.

Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.



Share