Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shqyrtoi projektvendimin, “Për miratimin e strukturës, organikës dhe nivelin e pagave për Akademinë e Shkencave”

  • Postuar më, 30/06/2020

30 qershor 2020

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në drejtimin e kryetarit z. Ramazan Gjuzi, zhvilloi mbledhjen e radhës online, ku shqyrtoi projektvendimin:  “Për miratimin e strukturës, organikës dhe nivelin e pagave për Akademinë e Shkencave, si dhe miratuan disa ndryshime. Të ftuar në këtë seancë dëgjimore ishte kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Skënder Gjinushi, z. Shaban Demiri, sekretar në këtë institucion, si dhe znj. Vilma Çausholli përfaqësuese nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.  

Në fjalën e tij z. Gjinushi paraqiti strukturën e organikës të institucionit që ai drejton si dhe shpjegoi se nuk ka në kërkesën e tyre, shtim të bushetit: “ Akademia e shkencave detyron dhe i kërkon komisionit të miratojë strukturën dhe miratimin e pagave për t’i sjellë në Kuvend . Problemi i vetëm ishte pikërisht saktësimi dhe kategorizimi i pagave të miratuara prej kohësh nga Këshilli i Ministrave”.

Në fjalën e saj përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, znj. Vilma Çausholli u shpreh se Akademia e Shkencave në kërkesën e tyre, në organikën e pagave kishte një mospërputhje në pagat e zevendës kryetarit dhe sekretarit të akademisë, ndaj ajo kërkoi që kjo pikë të korrektohej.

Deputeti, z. Ismet Beqiraj relator i këtij komisioni përshëndeti anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave, të zgjedhur pak ditë më parë si dhe propozoi që kjo projektrezolutë të shqyrtohej dhe të miratohej nga anëtarët e këtij komisioni.

Pas diskutimeve dhe kundërshtive mes anëtarëve të këtij komisioni, u propozua nga nënkryetarja e këtij komisioni që pas disa konsultimeve me juristët ky projektligj të vijojë në seancën e radhës.

Mbledhja e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u zhvillua në platformën e komunikimit elektronik: Cisco Webex.

 

 

 


Share