Kuvendi zgjodhi kreun e ri të KLSH-së, Arben Shehun, u miratuan katër projektligje, katër projektrezoluta, u rrëzua një dekret presidencial

  • Postuar më, 03/07/2020

2 korrik 2020

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare, ku u zgjodh kreu i ri i KLSH-së z. Arben Shehu,  u miratuan katër projektligje, katër projektrezoluta, si dhe u rrëzua një dekret i Presidentit të Republikës.

Pas miratimit të  procesverbalit të seancës plenare të datës 25.06.2020, rendi i ditës vijoi me paraqitjen e raporteve të veprimtarisë vjetore të katër institucioneve të pavarura: Agjencisë së Sigurimit të Depozitave; BSH; AMA dhe RTSH.

I pari ishte “Raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019”, i cili u prezantua nga z.Genci Mamani, Drejtori i Përgjithshëm i ADS-së. Projektrezoluta për këtë institucion u miratua me 91 vota pro, 12 kundër dhe 10 abstenim.

Më pas u vijua me Raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019, i cili u prezantua për deputetët nga z.Gent Sejko, Guvernatori i BSH. Kreu i BSH në fjalën e tij bëri një përmbledhje të punës së Bankës qendrore; bankave të nivelit të dytë përgjatë gjithë vitit të kaluar, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në masat e marra për përballimi i situatës së tërmetit dhe pandemisë COVID-19.

Projektrezoluta për BSH u miratua me 97 vota pro, 9 kundër dhe 8 abstenim.

Raporti vjetor i Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2019, u paraqit nga Kryetari i AMA-s, z. Gentian Sala, i cili raportoi mbi punën e bërë nga institucioni  që drejton përgjatë vitit të kaluar. Projektrezoluta për AMA-n u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 16 abstenim.

Më tej u vijua me shqyrtimin e projektrezolutës, “Për vlerësimin e  Veprimtarisë së Radio Televizionit Shqiptar”, për vitin 2019”, e cila u miratua me 85 vota pro, 16 kundër dhe 14 abstenim.

Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar "Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ” , u prezantua nga znj. Anila Denaj, ministre e Ekonomisë dhe Financave, e cila në fjalën e saj theksoi se miratimi i këtij Protokolli do të sjell: zbatim të Unifikuar të Konventës Pan-Euro-Med për rregullat e origjinës; ulje të kostove të eksportit, si dhe rritje të aksesit të bizneseve në tregje të reja. Projektligji u miratua me 104 vota pro,  7 kundër dhe 5 abstenim.

Projektligji i radhës  ishte ai “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)", i cili u miratua me 107 vota pro,5 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa projektligji "Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, u miratua me 96 vota pro, 9 kundra dhe 6 abstenim.

Më tej u vijua me shqyrtimin e projektligjit, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar”, i cili u miratua me 91 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Seanca i vijoi punimet me shqyrtimin e dy dekreteve presidenciale.

I pari ishte Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11.505, datë 08.06.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)”, i cili u rrëzua me 84 vota kundër, 21 vota pro dhe 8 abstenim. 

Ndërsa Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.498, datë 04.06.2020, “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit” u miratua me  108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 15.00


Share