Kuvendi zhvillon interpelancë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Besa Shahini kërkuar nga deputeti Artur Roshi

  • Postuar më, 09/07/2020

9 korrik  2020

Seanca e sotme plenare nisi me një interpelancë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Besa Shahini, të kërkuar nga deputeti i opozitës parlamentare z. Artur Roshi.

Gjatë parashtresës së tij, z.Roshi kërkoi sqarime lidhur me një sërë çështjesh që prekin arsimin në vend, duke nisur që nga kriteret e punësimit të mësuesve dhe edukatorëve në institucionet arsimore, udhëzimet që MASR u jep drejtorive rajonale mbi prioritetet e drejtimit të institucioneve arsimore, masat për ruajtjen e territorit të shkollave dhe eliminimin e analfabetizmin funksional të adoleshentëve. Një sërë pyetjesh që z.Roshi i drejtoi nga foltorja e Kuvendit ministres Shahini lidheshin me përzgjedhjen e teksteve mësimore dhe atyre jashtëshkollore, kriteret mbi të cilat vendoset kurrikula mësimore, mungesë në kurrikulat e shkollës së mesme të leksioneve mbi filozofitë politike dhe implementimin e tyre në shoqëri, etj.  “Interpelancën me ministren e Arsimit e kërkova si një domosdoshmëri në interes të debatit publik të vazhdueshëm të raportit të historisë që zhvillohet në tekstet shkollore, krahasuar me historinë e vërtetë të vendit tonë”, u shpreh në parashtresë z.Roshi.  

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Besa Shahini u ndal në reformat që janë ndërmarrë në fushën e arsimit, por dhe masat që po ndërmerren për të ardhmen e afërm në këtë drejtim. Në lidhje me pyetjet që lidhen me kriteret e punësimit të mësuesve, ministrja Shahini u shpreh se “ Që nga viti 2014 mësuesit punësohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, vetëm më të mirët punësohen në shkollë. Çfarë siguron portali? Siguron transparencë dhe cilësi”, u shpreh ministrja Shahini, duke shtuar se që prej vitit 2017 është rritur nota mesatare për ata të rinj që kërkojnë të ndjekin studimet e larta në degë që lidhen me mësuesin. Më tej, duke u ndalur në masat e marra për përfundimin e vitit shkollor në kushtet e krijuar nga pandemia COVID-19, ministrja Shahini bëri të ditur se: “mësuesit ishin të gatshëm, përdorën metoda pro-aktive dhe nuk lanë nxënësit e tyre që të mbesin mbrapa me mësime. Kanë regjistruar mbi 1.2 mln minuta video amatore për të shpjeguar njësitë mësimore dhe ishin shumë të gatshëm të dilnin edhe në RTSH  për të shpjeguar leksione për vite të ndryshme, për lëndë të ndryshme, që nxënësit të kapnin hapin”.

Ministrja u ndal më tej në kurrikulat, ri-organizimin e drejtorive arsimore, masat e sigurisë në shkolla, punën e bërë për eliminimin e analfabetizmin funksional, arsimin parashkollor.

Në lidhje me mungesën e figurës së Mid'hat Frashëri në tekste shkollore, ministrja e mohoi duke sjellë argumente se kjo figurë trajtohet në tekstet e klasës së 9-të, të 11-të dhe të 12-të shkollës, gjatë trajtimit të temave:Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, Shqiptarët në Greqi; Interesimi i shtetit për shqiptarët jashtë kufijve, etj.   

Në fjalën e rimarrë, deputeti Roshi theksoi problemin e mungesës së pranisë së figurave të rëndësishme të historisë kombëtare si Mid'hat Frashëri, Abaz Ermenji, Hasan Dosti, etj., në tekstet shkollore. Ai pretendoi se në tekstet shkollore nuk tregohet e vërteta historike e Shqipërisë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Ministrja u shpreh se tekstet e historisë janë të shkuara nga grupe autorësh që janë pedagogë, pjesë e instituteve të historisë dhe shkruhen sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Europës. Sipas saj sugjerohet që historia e vonë të mos shtjellohet në shumë detaje, pasi është ende delikate dhe  e ndjeshme që të diskutohet në shoqëri. “Paraqiten faktet dhe i lihet mundësi nxënësit që të bëjë dhe hulumtim, kurrikula e re parasheh që nxënësi në lëndën e historisë të jetë hulumtues i historisë”, u shpreh ajo.


Share