Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 09/07/2020

9 korrik 2020

Në drejtimin e Kryetarit z. Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, e cila nisi me një interpelancë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj.Besa Shahini, të kërkuar nga deputeti i opozitës parlamentare z. Artur Roshi.

Punimet e seancës plenare vijuan me shqyrtimin e raporteve të veprimtarisë të tre institucioneve të pavarura në vend përgjatë vitit 2019.

I pari ishte raporti i veprimtarisë vjetore të Avokatit të Popullit, i cili u prezantua nga znj.Erinda Ballanca, Avokate e Popullit. Znj.Ballanca bëri një rezyme të punës së institucionit që drejton përgjatë vitit 2019, në lidhje me numrin dhe natyrën e ankesave të marra, rekomandimeve të lëna nga Avokati i Popullit, si dhe zbatimin e tyre nga institucionet e administratës qendrore dhe vendore.

“Në krye të listës së problemeve të të drejtave të njeriut në institucionin tonë është mungesa e një sistemi efektiv drejtësie, për të garantuar të drejtat e njeriut. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese efektive dhe mungesa e  një Gjykate të Lartë efektive kanë qenë problemet thelbësore për garantimin e të drejtave të njeriut në vend. Për këtë edhe institucioni ynë bashkon zërin me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për një zbatim sa më të shpejtë të të tërë objektivave të reformës në Drejtësi”, theksoi znj.Ballanca.  Më pas ajo iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me trajtimin e komunitetit rom dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve. Rezoluta për Avokatin e Popullit, u miratua me 85 vota pro, 14 kundër dhe 7 abstenim.

Më tej u vijua me Raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili u paraqit nga z.Tomi Frashëri, kryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Z. Frashëri parashtroi se raporti për vitin 2019 është përqendruar kryesisht në punën e bërë nga AKEP në zbatimin e katër orientimeve kryesore strategjike të këtij institucioni:  krijimi i kushteve të favorshme për investime të qëndrueshme;  nxitjen e konkurrencës së ndershme dhe të lirë në treg; promovimin e të drejtave të pajtimtarëve dhe përdoruesve të komunikimeve dhe shërbimeve elektronike dhe përforcimin e eficiencës në mirëfunksionimin e brendshëm të institucionit dhe i partneritetit ndërinstitucional, brenda dhe jashtë vendit. Pas paraqitjes së raportit, z.Frashëri iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët. Rezoluta për AKEP u miratua me 81 vota pro, 16 kundër dhe 11 abstenim.

Raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2019 u paraqit nga znj. Enkeleda Bega, nënkryetare e këtij komisioni.  Gjatë prezantimit të saj përpara deputetëve, zj. Bega paraqiti drejtimet kryesore të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit të mëparshëm, duke u ndalur në mënyrë të detajuar në numrin total të ankimeve dhe vlerën e tyre për secilin autoritet kontraktor, numrin total të ankimeve të refuzuara dhe pranuar, numrin e vendimeve të Komisionit të Prokurimit Publik të ankimuara në Gjykatën Administrative; etj. Pas prezantimit të raportit, znj.Bega iu përgjigj pyetjeve të bëra nga deputetët.  Rezoluta për Komisionit të Prokurimit Publik u miratua me 80 vota pro, 22 kundër dhe 9 absenim.

 

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e 3 akteve normative të Këshillit të Ministrave. I pari ishte Akti normativ nr. 24, datë 27.05.2020, “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar””. Znj. Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë prezantimit të nismës që lidhet me vendosjen e masave administrative për bizneset që nuk respektojnë protokollet e sigurisë në zonat turistike, bëri edhe një rezyme të situatës epidemike në vend të krijuar nga COVID-19. Ajo u bëri thirrje qytetarëve për respektimin e masave të higjenës, distancimit social dhe vendosjen e maskës.  “Nuk jemi vonë për të reflektuar, sepse kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e ndryshimit të sjelljes, e të jetuarit në një normalitet të ri”, u shpreh ajo.  Akti Normativ u miratua me 86 vota pro, 18 kundër dhe 8 abstenim.

I dyti ishte Akti Normativ nr. 25, datë 10.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar””, për të cilin në emër të grupit parlamentar socialist, deputetja Artemis Dralo, u shpreh se nisma ka për qëllim zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së letënjoftimeve që kanë skaduar, deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.nAkti Normativ u miratua me 91 vota pro, 16 kundër dhe 6 abstenim.

I fundit ishte Akti Normativ nr. 26, datë 10.06.2020, “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”, i cili u miratua me 86 vota pro, 19 kundër dhe 6 abstenim.

Në vijim të rendit të ditës u shqyrtuan 3 projektligje. I pari ishte projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, për të cilin ministri i Brendshëm, z.Sandër Lleshaj, u shpreh se ka për qëllim lehtësimin e shërbimeve për personat mbi 75 vjeç. Për të shmangur kostot e panevojshme që deri më tani kanë rënduar mbi këtë kategori shtetasish, nëpërmjet këtij projektligji bëhet e mundur që afati për dokumentin letërnjoftim për shtetas të moshës mbi 75 vjeç të jetë pa afat vlefshmërie, pra për aq kohë sa janë në jetë. Nga ky ndryshim ligjor parashikohet të përfitojnë mbi 216 mijë shtetas mbi moshën 75 vjeç. Projektligji në fjalë u miratua me 95 vota pro, 12 kundër dhe 4 abstenim.

Më pas u shqyrtua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Në emër të grupit parlamentar socialist, z. Luan Duzha, u shpreh se me këtë projektligj synohet të eliminohen pengesat ligjore dhe lehtësohen procedurat për operatorët ekonomikë që aplikojnë për marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Ky projektligj u miratua me 82 vota pro, 19 kundër dhe 9 abstenim.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme””, deputetja Evis Kushi, në emër të grupit parlamentar socialist, e konsideroi projekligjin si shumë të rëndësishëm për periudhën që po kalon vendi. Ajo theksoi se projektligji do t’u krijojë mundësi të gjithë individëve dhe personave juridikë që nëse shprehin interes, të kryejnë procedurat e aplikimit dhe të rivlerësimit për pasuritë e paluajtshme që zotërojnë, si rezultat i zgjatjes deri në fund të vitit të afatit të kryerjes së këtij procesi. Projektligji në fjalë u miratua me 85 vota pro, 16 kundër dhe 9 abstenim.

Seanca plenare e ditës së sotme votoi kundër Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11.510, datë 15.06.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 62/2020, “Për tregjet e kapitalit” , i cili u rrëzua me 84 vota kundër, 17 pro dhe 8 abstenim.

Më tej u vijua me diskutimin e projektvendimit “Për strukturën, organikën dhe nivelin e pagave për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë””. Deputetja e grupit parlamentar demokrat, znj.Fatjona Dhimitri, u shpreh se organika dhe struktura e paraqitur nga Akademia e Shkencave ka efekte shtesë në buxhetin e shtetit, të paparashikuara në buxhetin e institucionit për vitin 2020, ndryshe nga sa ishte deklaruar më herët nga kryetari i këtij institucioni z. Skënder Gjinushi. Ndërsa deputeti Ismet Beqiraj, në emër të grupit parlamentar socialist argumentoi se struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara në këtë projektvendim është në përputhje me ligjin “Për buxhetin e shtetit 2020” dhe nuk prodhon efekt financiar buxhetor shtesë. “Me këtë strukturë dhe organikë modeste që ka paraqitur Akademia e Shkencave ndryshohet për mirë raporti midis drejtimit shkencor  të institucionit nga drejtimi administrativ”, u shpreh z.Beqiraj.Ky projektvendim u miratua me 83 vota pro, 22 kundër dhe 5 abstenim.

Në seancën e sotme plenare u votua dhe për 3 projektvendime të tjera. Projektvendimi “Për deklarimin e përfundimit të veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, u miratua me 84 vota pro, 16 kundër dhe 11 abstenim; Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 100/2017 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme” të ndryshuar” u miratua me 97 vota pro, 10 kundër dhe 4 abstenim.

I fundit që u votua ishte projektvendimi “Për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”, për të cilin ishte propozuar kandidatura e z. Jonaid Myzyri. Me 94 vota pro, 10 kundër dhe 8 abstenim, z.Myzyri u zgjodh kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 15:15.


Share