Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miraton në parim nismën e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese

  • Postuar më, 10/07/2020

10 korrik 2020

Në drejtimin e Nënkryetares së Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u shqyrtua në parim projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998  “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare. Relatorë të projekligjit janë caktuar: znj.Klotilda Bushka dhe z.Alket Hyseni nga grupi parlamentar socialist, si dhe znj. Ediola Braha dhe z. Korab Lita, nga opozita parlamentare.  Të pranishëm në mbledhje ishin dhe 4 ekspertët konstitucionalistë: znj.Elira Kokona,  z.Ilir Rusmaijli, z. Erind Mërkuri dhe znj.Adea Pirdeni.

Gjatë relatimit të saj, deputetja Ediola Braha, parashtroi se nisma e opozitës parlamentare i shërben më së miri forcimit të demokracisë, sepse fuqizon zgjedhësit.  “Garanton që çdo deputet i ardhur nga votat e qytetarëve, në sallën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të ketë primare interesat e qytetarëve, jo të krerëve të partisë”, theksoi znj.Braha. Më tej, ajo detajoi tre aspektet  kryesore ku konsiston nisma për ndryshime kushtetuese: ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga sistem proporcional me zona zgjedhore shumëemerore në sistem zgjedhor proporcional me konkurim rajonal; ndryshimin e pragut zgjedhor, si dhe moslejimin e kualicioneve parazgjedhor.

Ndërsa deputetja Klotida Bushka gjatë relatimit të saj parashtroi se për mazhorancën ka rëndësi primare fakti që përfaqësuesit e popullit të zgjidhen nga vullneti i zgjedhësve nëpërmjet votës së lirë dhe çdo nisëm që garanton këtë synim, është e vlerësueshme. Më tej ajo sqaroi se nisma në thelb nuk sjell ndryshim të sistemit elektoral aktual. Duke analizuar risitë që propozohen në nisëm, znj.Bushka tërhoqi vëmendjen që duhet pasur kujdes përsa i përket listave të hapura, në mënyrë që të garantohet përfaqësimi i barabartë gjinor në parlament.

Pas diskutimeve të zhvilluara mes deputetëve dhe ekspertëve konsitucionalistë, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998  “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share