Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi tre projektligje dhe miratoi dy prej tyre

  • Postuar më, 13/07/2020

13 korrik 2020

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, në mbledhjen e sotme virtuale shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje, si edhe votoi kundër një projektligji të tretë, nismë deputeti.

Në mbledhjen e sotme vijoi shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit”, të ndryshuar; u  shqyrtua  projektligji “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS) dhe u shqyrtua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjjn nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar””.

Si pikë e parë e rendit të diskutimeve të ditës u vijua me diskutimet e mbartura nga seancat e mëparshme për projektligjin“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit”, të ndryshuar. E pranishme për këtë projektligj ishte znj. Adela Xhemajli, zëvendësministre e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si edhe përfaqësues nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Projektligjin e relatoi për komisionin znj. Antoneta Dhima, deputete e komisionit. Në mbledhjen e mëparshme ishin përshtatur disa propozime të SHISH dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të cilat ishin sjellë përmbledhurazi në një draft ndryshimesh të përbashkëta e të dakordësuara mes palëve në mbledhjen e sotme nga një grup i përbashkët pune. Komisioni dha dakordësinë e tij me shumicë votash për ndryshimet e sjella në projektligj nga grupi i përbashkët i punës.

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit të dytë. E pranishme në mbledhjen e komisionit për paraqitjen e projektligjit të dytë, “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS), ishte zëvendësministrja e Financave dhe e Ekonomisë, znj. Vasilika Vjero. “Kjo konventë është një nga produktet e OECD-së dhe G20 për të trajtuar strategjitë e planifikimit tatimor, të cilat përdorin boshllëqet dhe mospërputhjet në rregullat tatimore për të zhvendosur artificialisht fitimin në vende ku shkalla e tatim-fitimit është e ulët apo nuk ka fare. Konventa shërben si një mjet edhe për Shqipërinë për parandalimin e erozionit të bazës së tatueshme dhe të transferimit të fitimit”,- u shpreh zëvendësministrja Vjero. Pas pyetjeve dhe diskutimeve ky projektligj u miratua nga anëtarët e pranishëm. Relatorja e projektligjit për komisionin, znj. Reme Lala, dha dakordësinë e saj me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje shumëpalëshe duke cilësuar se kjo marrëveshje siguron ambientin e nevojshëm tatimor për vendin.  Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e miratoi projektligjin në fjalë.

Si pikë e fundit e diskutimeve të rendit të ditës, komisioni shqyrtoi projektligjin e propozuar nga z. Artur Roshi, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjjn nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar””. Nismëtari i projektligjit, z. Roshi, u shpreh se qëllimet e projektligjit janë: përputhja e ligjit të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist nr. 9831, dt. 12.11.2007 me ligjin nr. 7748, dt. 29.07.1993, që përcakton statusin e ish-të dënuarve dhe përndjekurve politikë; synon të mos prekë dëmshpërblimet bazike të mbijetesës, që ka përfituar ish-i dënuari dhe ish-i përndjekuri politik nga ligje të tjera të mëparshme dhe gjithaq synon që familjarët e viktimave, të pushkatuar pa gjyq, të pushkatuar apo ekzekutuar me dënim politik të padrejtë të përfitojnë dëmshperblimin financiar në masën e 25 viteve kompesim dënimi me burgim, me dënimin maksimal pas faljes së jetës. Relatorja e projektligjit, znj. Gjylameti përcolli rezervën e Këshillit të Ministrave dhe mangësitë e vërejtura nga komisionet për dhënie mendimi, që e kanë votuar kundër këtë projektligj në parim. Znj. Gjylameti i konsideroi shteruese argumentet kundra të dhëna nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë. Mungesa e burimeve financiare për zbatimin e këtij ligji e bën atë të pazbatueshëm, ndaj, sipas znj. Gjylameti ky projektligj nuk duhej votuar. Komisioni, me shumicë votash, votoi kundër nismës ligjore të z. Roshi.

Komisioni, në vijim të zbatimit të masave protokollare anti-Covid, edhe mbledhjen e sotme e zhvilloi përmes platformës elektronike të komunikimit, Cisco Webex.

 


Share