Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projekligje dhe rrëzoi nismën për rishikimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”

  • Postuar më, 13/07/2020

13 korrik 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar virtualisht, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi tre projekligje dhe miratoi dy prej tyre.

I pari ishte projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konferederatës Zvicerane për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri (faza 4, 2019-2023)”, i cili u relatua për komisionin nga deputetja Elena Xhina dhe u prezantua nga znj.Aurora Alimadhi, drejtoreshë e Departamentit të Zhvillimit Rajonal në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Znj.Alimadhi sqaroi se marrëveshja dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj zvicerane, iniciohet në kuadër të zbatimit të fazës 4, të programit për zhvillimin rajonal dhe synon jo vetëm krijimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, por dhe ngritjen e institucioneve përkatëse, rritjen e kapaciteteve të organeve të qeverisjes vendore, etj. Ajo theksoi se marrëveshja përcakton kushtet, procedurat, kontributet e palëve, rolet dhe përgjegjësitë e tyre, mbikëqyrjen dhe bashkërendimin për asistencën në fazën 4 të projektit, në kuadër të reformës për zhvillimin rajonal në Shqipëri. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projekligjin në fjalë.

Komisioni vijoi mbledhjen me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)”, i cili u prezantua nga znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputeti Bashkim Fino. Znj.Vjero sqaroi se projektligji ka për qëllim ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI-Multilateral Instrument) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për të parandaluar erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimeve. Kjo konventë është një nga produktet e OECD-së dhe G20 për të trajtuar strategjitë e planifikimit tatimor, të cilat përdorin boshllëqet dhe mospërputhjet në rregullat tatimore për të zhvendosur artificialisht fitimin në vende ku shkalla e tatim- fitimit është e ulët apo ku nuk ekziston fare. “Konventa shërben si një mjet edhe për Shqipërinë për të parandaluar erozionin e bazës së tatueshme dhe të transferimit të fitimit”, u shpreh znj.Vjero. Pas pyetjeve dhe diskutimeve u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi projekligjin në fjalë.

I fundit për shqyrtim ishte projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjjn nr. 9831, datë 12.11.2007, ‘Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar’”, nismë e deputetit të opozitës parlamentare, z. Artur Roshi. Deputeti Roshi gjatë parashtresës u shpreh se projektligj synon përputhjen kohore të ligjit për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist nr. 9831, datë 12.11.2007 me ligjin nr.7748, datë 29.07.1993, ku përcaktohet statusi i ish- të dënuarve dhe përndjekurve politikë; të mos preken dëmshpërblimet bazike të mbijetesës, që ka përfituar ish- i dënuari dhe ish- i përndjekuri politik nga ligje të tjera të mëparshme; si dhe familjarët e viktimave, të pushkatuar pa gjyq, të pushkatuar apo ekzekutuar me dënim politik të padrejtë, të përfitojnë dëmshpërblimin financiar në masën e 25 viteve kompesim dënimi me burgim, me dënimin maksimal mbas faljes së jetës, ndryshe nga ligji aktual që i trajton sikur të kenë kryer 8 vite dënim me burgim.

Deputeti Adnor Shameti gjatë relatimit të tij sqaroi se për shkak të efekteve financiare të konsiderueshme që parashikohen të sjellë ky amendim ligjor, i është kërkuar mendim Këshillit të Ministrave. Qeveria në përgjigje ka sqaruar se nisma nuk ka një llogaritje të efektit financiar mbi numrin e përfituesve, çka e bënë të pamundur shprehjen për përballimin e kostos finaciare të kësaj iniciative nga buxheti i shtetit, në një kohë kur tavanet buxhetore për tre vitet e ardhshme janë të miratuara dhe nuk mund të ndryshojnë. Më tej deputeti Shameti sqaroi se nisma është në kundërshtim me nenin 82, paragrafët 1 dhe 2, të Kushtetutës dhe sygjeroi të rrëzohet në parim nga komisioni.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni rrëzoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjjn nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share