Komisioni hetimor parlamentar e deklaroi të mbyllur hetimin administrativ sipas planit të hetimit. Mbledhja administroi opinionin e Komisionit të Venecias dhe caktoi relatorët e raportit paraprak

  • Postuar më, 13/07/2020


 13 korrik 2020

 

Komisioni hetimor parlamentar “Për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, u mblodh sot për të administruar Opinionin e Komisionit të Venecias dhe provave të tjera të administruara.

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 31.3.2020, komisioni vijoi sipas parashikimeve të rendit të ditës, komisioni votoi që opinioni i Komisionit të Venecias, i ardhur më 19 qershor 2020 në Kuvendin e Shqipërisë të bëhej pjesë e dosjes së komisionit hetimor. Ky opinion lidhej me ligjshmërinë e emërimeve të gjyqtarëve kushtetues nga Presidenti i Republikës.

Më pas komisioni vijoi me pikën tjetër të rendit të ditës, diskutimin për provat e administruara sipas planit hetimor. Kryetari i komisionit hetimor, z. Ulsi Manja, radhiti të gjitha provat e administruara nga komisioni: shkresa korrespodence institucionale, dhënie informacionesh, procesverbale mbledhjesh të institucioneve, kopje vendimesh, fletore zyrtare dhe opinionet e Komisionit të Venecias. Provat e mësipërme janë marrë në adiministrim pas kërkesave të dala nga 9 mbledhjet dhe 14 vendimet e ndërmjetme të komisionit hetimor, në bazë të cilave janë administruar edhe provat e mësipërme të radhitura nga z. Manja.

Me propozim deputetësh të komisionit, z. Valteri nga opozita dhe znj. Bushka nga shumica, u votuan si relatorët përkatës për të hartuar e më pas paraqitur për komisionin hetimor raportin paraprak të gjetjeve të hetimit, mbi të cilin do të diskutohet për ndërtimin e një raporti përfundimtar për t’ia paraqitur seancës plenare.

Pas diskutimit lidhur mbi provat, z. Manja, në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor e deklaroi te mbyllur hetimin administrativ sipas planit të hetimit të këtij komisioni. Mbledhja e radhës së komisionit hetimor u caktua dt. 17 korrik e ditës së premte, me qëllim që ditën e hënë të zhvillohej diskutimi për raportin përfundimtar.  


Share