Nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese, zhvillohet mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit të Ligjeve

  • Postuar më, 13/07/2020

13 korrik 2020

Në drejtimin e Nënkryetares së Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku pas miratimit të procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme, u diskutua  nen për nen projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare. Të pranishëm në mbledhje ishin dhe 4 ekspertët konstitucionalistë: znj.Elira Kokona,  z.Ilir Rusmaijli, z. Erind Mërkuri dhe znj.Adea Pirdeni.

Në nisje të mbledhjes, deputeti Korab Lita, njëri prej katër relatorëve të nismës, paraqiti një amendament për uljen e pragut elektoral në 2% nga 5% që synohej fillimisht me nismën e opozitës parlamentare. Z. Lita argumentoi se kërkesa e nismëtarëve për vendosjen e pragut 5% duhet riparë pasi thellon më shumë hendekun mes votuesit, të zgjedhurit dhe  qeverisjes. “Të gjithë jemi dëshmitarë që edhe pse koalicionet zgjedhore lejohen dhe pragu aktual është 3 %, një shumicë e konsiderueshme votash në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk prodhuan mandate dhe si rrjedhojë, një masë e konsiderueshme votuesish mbetën pa përfaqësim dhe kjo nuk është demokratike dhe as e drejtë. Pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve e thellon më shumë hendekun e mospërfaqësimit”, u shpreh z.Lita, duke theksuar se qëllimi i këtij projekligji është lidhja e votuesve me përfaqësuesit e tyre dhe në këtë kuptim duhet ngushtuar sa më shumë ky hendek. Sipas tij pragu prej 2% e plotëson më së miri nevojën e prezantuar nga propozuesit.

Relatorja Klotilda Bushka u shpreh se në bazë edhe të diskutimeve të ekspertëve pragu 5% konsiderohet frenues për proceset politike në vend, por propozimi për uljen në 2% është disi i ulët. Sipas saj ky propozim ka nevojë për diskutim edhe me ekspertët konsititucionalistë dhe propozoi që amendamenti të diskutohet mes 4 relatorëve për një formulim të përbashkët.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të deputetëve, u vendos që relatorët dhe ekspertët të diskutojnë dhe të dakordësojnë për riformulimet e kërkuara në nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës dhe më pas të vijohet me shqyrtimin nen për nen të projekligjit.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share