Komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi një dekret presidencial. AMF raportoi për veprimtarinë vjetore të vitit 2019

  • Postuar më, 14/07/2020


14 korrik 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, shqyrtoi dhe rrëzoi sot në mbledhjen virtuale dekretin presidencial nr. 11518, dt. 22 qershor 2020, “Kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Në mbledhjen e sotme u raportua edhe për veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2019.  

Të pranishëm në seancën e sotme të komisionit për paraqitjen e argumenteve të Presidentit të Republikës ishin z. Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor i Presidentit dhe znj. Katrin Treska, drejtore juridike në presidencë. Dekretin e relatoi për komisionin z. Anastas Angjeli. Z. Dervishaj bëri me dije se ky dekret nuk synon rrëzimin e ligjit, por përmirësimin e tij, ide që më pas e zhvilloi znj. Treska duke argumentuar në tre drejtime: lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale dhe mbi problematikat që paraqesin disa dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues. Përmes dekretit presidencial parashtrohen shqetësime për nenet 3, 9, 10, 13, 14, 15, 29, 36, 44, 45, 49, 51, 63, 70, 77, 82, 83, 88, 90, 92, 100, 105, të cilat duhen mbajtur në konsideratë pas rikthimit për shqyrtim përmes dekretit të Presidentit të Republikës. Relatori për komisionin, z. Angjeli, u shpreh se nisur nga argumentimi i dekretit, sidomos dy argumenteve të para, komisioni beson që është më mirë të kemi një ligj që e fut veprimtarinë në fjalë në shinat e kontrollit dhe minimizimit ligjor. Nëse gjatë zbatimit do të vërehen problematika, z. Angjeli u shpreh se do të duhet të reflektohen ndryshime ligjore në vijimësi. Për të, për shumë nga pikëpyetjet që nene të veçanta lënë, do të jenë aktet nënligjore në kohën e duhur që do e përmbushin kërkesat e ligjit. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve komisioni votoi kundër dekretit presidencial.

Mbledhja e komisionit vijoi me seancën dëgjimore raportuese për veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2019. Për të raportuar në komision ishte i pranishëm z. Ervin Mete, drejtor i AMF. Z. Mete u shpreh ndër të tjera se  sfida në kushtet e tanishme ishte përshtatja me realitetin e ri dhe adresimi i efekteve në tregjet nën mbikëqyrje, situatë në të cilën Autoriteti mori disa masa për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit, mirëfunksionimin e tregjeve dhe mbrojtjen e personave të siguruar dhe investitorëve. Z. Mete raportoi se gjatë vitit 2019 tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit vijuan rritjen. Totali i aktiveve në tregun e fondeve të investimeve, sigurimeve dhe fondeve të pensioneve private vullnetare u rrit me 6.7%, duke arritur në 108.8 miliardë lekë, ose 6.5% e PBB-së: tregu i sigurimeve u rrit me 4.1%, tregu i pensioneve private vullnetare u rrit me 27%, tregu i fondeve të investimeve u rrit me 1%. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni u shpreh se do t’i paraqesë seancës plenare rezolutën për vitin 2020 lidhur me veprimtarinë e AMF-së.  

Në vijim të ndjekjes së masave protokollare anti-Covid, edhe mbledhje e komisionit u zhvillua virtualisht, përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex. 


Share