Mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton në tërësi nismën e opozitës parlamentare

  • Postuar më, 14/07/2020

14 korrik 2020

Në drejtimin e Nënkryetares së Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, u zhvillua mbledhja e përbashkët e Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua nen për nen projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e 28 deputetëve të opozitës parlamentare. Të pranishëm në mbledhje ishin dhe 4 ekspertët konstitucionalistë: znj.Elira Kokona,  z.Ilir Rusmaijli, z. Erind Mërkuri dhe znj.Adea Pirdeni.

Në fillim të mbledhjes bashkërelatorja e mazhorancës parlamentare znj. Klotilda Bushka, parashtroi riformulimet e bëra nga 4 relatorët për dy nene të projekligjit të sjellë nga opozita parlamentare, që prekin çështjen e listave të hapura dhe koalicioneve parazgjedhore. Ndërkohë që çështja e përqindjes së pragut kombëtar, u vendos që të zgjidhet në formulimet e Kodit Zgjedhor dhe jo në Kushtetutë.

Znj.Bushka sqaroi se pas riformulimeve, është sanksionuar çështja e listave të hapura në sistemin proporcional rajonal, duke garantuar element të rëndësishëm të konkurrueshmërisë në këtë sistem, por dhe të standardit të barazisë gjinore.

“Njëkohësisht ky riformulim adreson kërkesën për vendosjen e një pragu elektoral kombëtar, i cili nuk duhet të jetë pengues për partitë e vogla, nuk duhet të frenojë dhe të dekurajojë konkurrencën politike, sikurse nuk duhet të nxisë fragmentimin e parlamentit apo të dëmtojnë stabilitetin qeverisës. Detajimi i kritereve dhe rregullave për zbatimin e sistemit, përcaktimin e zonave zgjedhore për pragun kombëtar, për numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve, për masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes referohen nga dispozita kushtetuese për tu parashikuar në Kodin Zgjedhor. Parashikimi në Kushtetutë i votës parapëlqyese në jo më pak se 2/3 e listës shumëemërore vendos një dysheme, e cila e bënë të mundur rritjen e standardit të konkurrueshmërisë dhe garanton përveç të tjerave, atë që ne tashmë e kemi të arritur, standardin e përfaqësimit të barazisë gjinore”, u shpreh znj.Bushka.

Ndërsa për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, znj.Bushka sqaroi se në bazë edhe të diskutimeve të mëparshme, u bë e qartë se duke mos qenë të përshtatshme me sistemin e listave të hapura, do të duhej të bëhej një riformulim që të drejtën e prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e kanë partitë politike dhe zgjedhësit.

Pas diskutimeve, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, u miratua nen për nen dhe në tërësi, sipas riformulimeve të bëra nga 4 relatorët e tij.

Mbledhja e përbashkët e dy komisioneve u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share