Komisioni për Sigurinë Kombëtare rrëzoi Dekretin e Presidentit dhe miratoi ndryshimet në ligjin: “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”

  • Postuar më, 14/07/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line mori në shqyrtim Dekretin e Presidentit të Republikës nr.11536, datë 08.07.2020, për kthimin në Kuvend të ligjit nr.74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet  e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar.
Z. Sandër Lleshaj, ministër në Ministrinë e Brendshme dhe z. Juljan Hodaj zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme, të pranishëm në komision dhanë kundërargumentat e tyre në lidhje me dekretin presidencial për ligjin e kthyer në Kuvend nga Presidenti i Republikës.
Z. Lleshaj, argumentoi se Kreu i Shtetit ka goditur thelbin dhe frymën e ligjit dhe shtoi në argumentat e veta, se ky ligj është miratuar në vitin 2018. “Asokohe është dekretuar nga i njëjti President, që atëherë nuk ka gjetur probleme thelbësore në frymën e ligjit dhe nuk e konsideronte Vetting-un për Policinë e Shtetit, Gardën dhe ShÇBA-në, si një instrument presioni. Është një instrument presioni pozitiv ndaj kujtdo që merr përsipër të shërbejë në strukturat ligjzbatuese. Çdokush që shërben në këto struktura e ka pranuar vetë do t’i nënshtrohet një verifikimi të përhershëm. Do të jetë përherë në një proces verifikimi, për arsye se risku i kompromentimit të një personi të caktuar gjatë karrierës është prezent” shtoi z. Lleshaj.
Relatorja znj. Elona Gjebrea parashtroi argumentat e saj kundër Dekretit të Presidentit për sa i përket afateve të vetting-ut dhe të tjera problematika, të adresuara nga Kreu i Shtetit.
Pas diskutimeve anëtarët votuan dhe rrëzuan Dekretin e Presidentit.
Më tej, komisioni vijoi me shqyrtimin  e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, te ndryshuar”.
Të ftuar për argumentimin e projektaktit lidhur me përparësitë, problematikat, efektet e pritshme etj, ishin znj. Enkelejda Peka Drejtoreshë Juridike në SHISH, z Ylvi Aga drejtor ekonomik në SHISH dhe znj. Mimoza Dhëmbi Drejtoreshë e Përgjithshme në Drejtorinë e Buxhetit në Ministrinë e Financave. Z. Aga në parashtrimin që bëri theksoi se ndryshimet që propozohen në këtë projektligj, bëhen me qëllimin për t`iu siguruar një status dhe mbrojtje të veçantë punonjësve të SHISH-it, që përballen përditë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, terrorit, si dhe me fenomene të tjera që cenojnë sigurinë kombëtare. “Është e domosdoshme që edhe trajtimi i kësaj kategorie t`i përgjigjet vështirësisë së punës së tyre” shtoi z. Aga.
Relator nga ana e komisionit për projektligjin ishte z. Sadi Vorpsi, i cili shtoi se “qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i statusit të punonjësit të SHISH-it, duke promovuar cilësinë dhe efiçencën në kryerjen e detyrës, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale e etike të punonjësit”
Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share