Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 14/07/2020

 

14 korrik 2020

 

Komisioni për Politikën e Jashtme, në mbledhjen e sotme virtuale të drejtuar nga kryetarja, znj. Mimi Kodheli, miratoi dy projektligje: "Për ratifikimin e marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konferederatës Zvicerane për programin e zhvillimit rajonal në Shqipëri (faza 4, 2019-2023)”"dhe nismën ligjore të deputetit Shameti të bashkërenduar me ndryshimet e sjella nga ministri Majko, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 16/2018 “Për diasporën”, projektligj ky i shqyrtuar në parim një seancë më parë. 

Projektligjin e parë e paraqiti në komision znj. Aurora Alimadhi, zëvendësdrejtore Ekzekutive e Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Znj. Alimadhi u shpreh se projektligji ratifikues i marrëveshjes është finalizimi i një procesi të gjatë asistence nga qeveria e Konfederatës së Zvicrës, e që mbulon fazën e katërt të një projekti me tre objektiva themelorë: krijimin e një kuadri rregullator në fushën e zhvillimit rajonal, asistencën për krijimin e institucioneve përgjegjëse për këtë funksion, si edhe përgatitje institucionesh për menaxhim dhe perthithje fondesh nga donatorë të ndryshëm, në mënyrë që sistemet e tyre financiare të jenë në përputhje me kushtet e donatorëve dhe të BE-së. Znj. Alimadhi bëri gjithashtu të ditur se Konfederata e Zvicrës ia ka besuar zbatimin Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe se në këtë program kontribuon edhe Agjencia Austriake per Zhvillim. Pala shqiptare përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, që këtë funksion ia ka deleguar Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Vlera e kësaj asistence është rreth 7.2 mln euro, ose 7.7 mln franga zvicerane, prej të cilave 6 mln franga vijnë nga pala zvicerane, 1.25 mln franga nga pala austriake dhe qeveria shqiptare, në formën e rimbursimit të TVSH, kontribuon me vlerën 84 mijë franga zvicerane. Znj. Alimadhi shtoi se e gjitha vjen si një skemë granti, që fokusohet te 11 bashkitë e prekura nga tërmeti i tetorit, duke akomoduar nevojat e bashkive për projekte në funksion të zhvillimit rajonal. Relatori i projektligjit, z. Andrea Marto e përkrahu nismën dhe në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin.

Sa i takon pikës së dytë të rendit të diskutimeve të ditës, u vijua me amendimet e paraqitura nga z. Shameti dhe z. Majko si deputetë, lidhur me projektligjin “Për diasporën”. Në komision u bë e ditur mbërritja e përgjigjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me bursat e komunitetit shqiptar të diasporës. Relatori i projektligjit, z. Alket Hyseni, pas mbërritjes së opinionit të Ministrisë së Financave mbështeti propozimet e sjella nga deputetët Majko dhe Shameti në ligjin për diasporën. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, u vijua me votimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit. 


Share