Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Komisioni vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për amnistinë fiskale dhe penale në sezonin e ardhshëm parlamentar

  • Postuar më, 27/07/2020

27 korrik 2020

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, miratoi në mbledhjen e sotme virtuale projektligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”. Komisioni vendosi sot edhe shtyrjen e shqyrtimit nen për nen të projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” dhe shqyrtoi vetëm projektligjin e parë. I pranishëm në komision për paraqitjen e atij projektligji ishte zëvendëskryeministri i vendit,  z. Erion Braçe. Për të njëjtin projektligj i pranishëm në mbledhjen e sotme virtuale ishte edhe z. Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Projektligji u relatua për komisionin nga znj. Senida Mesi.

Z. Braçe, gjatë prezantimit të projektligjit për komisionin, theksoi se projektligji shpreh angazhimin e qeverisë për përmbushjen deri në fund të reformës administrative dhe territoriale, e në vijim e në zhvillim të saj, ndërton instrumente të rëndësishme që t’u japë mundësi aktorëve të ndryshëm, që administrojnë para publike ose pasuri natyrore, që të përfitojnë nga këto instrumente zhvillimi me fokus të veçantë në zonat ku zhvillimi ka qenë më larg pritshmërive, më i pabarabartë dhe më joproporcional. Projektligji, sipas zëvendëskryeministrit, transpozon disa prej parimeve të paraqitura në strategjinë e Bashkimit Evropian për politikën e zhvillimit rajonal dhe kohezionit social, 2020-2027, si edhe e vendos fokusin në drejtim të krijimit të vendeve të reja dhe të qëndrueshme të punës, të diversifikimit ekonomik duke përdorur burimet qendrore dhe lokale në funksion të zhvillimit të rajoneve në çdo cep, hapjes dhe zhvillimit të bizneseve të reja duke ushtruar veprimtari me tatime dhe taksa zero, duke nxitur zëvendësimin e importeve, hapjen e tregjeve të reja, zhvillimin rajonal duke përfituar nga mundësitë e reja në turizëm dhe tregti, si edhe sa i takon përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe shërbimeve në të gjithë territorin e vendit në mënyre të njëjtë, të barabartë e të njëtrajtshme. Pas dakordësisë së drejtorit të FShZh-së, z. Agolli dhe mbështetjes së znj. Mesi, si relatore e projektligjit, në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve komisioni e votoi miratimin e këtij projektligji në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Si pikë të dytë të diskutimeve të rendit të ditës, për të tretën seancë radhazi, komisioni mori në shqyrtim projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale, duke dashur të reflektojë shumë prej komenteve, propozimeve, vërejtjeve dhe sugjerimeve të ardhura nga komuniteti i ekspertëve dhe grupet e interesit. Në dakordësi edhe me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë, për të arritur një konsensus të plotë politik, me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar, komisioni vendosi në unanimitet të vijojë me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” në sezonin parlamentar të ardhshëm.  

Në respekt të masave protokollare anti-Covid 19, mbledhja e sotme u zhvillua online përmes platformës elektronike të komunikimit “Cisco Webex”. 


Share