Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi katër projekligje dhe një akt normativ

  • Postuar më, 27/07/2020

27 korrik 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar virtualisht, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja, shqyrtoi 4 projekligje dhe një akt normativ të Këshillit të Ministrave.

I pari në rendin e ditës ishte shqyrtimi në parim i projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, i cili u relatua nga deputeti Alket Hyseni. Të ftuar për prezantimin e projektligjit ishte znj.Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe stafi teknik i kësaj ministrie, si dhe z.Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Ministrja Denaj sqaroi shtyllat se ku do të bazohet amnistia dhe nënvizoi se projektligji për amnistinë Fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive, do të bëjë të mundur shkëputjen nga evazioni dhe kultura e pandëshkueshmërisë.  Ministrja u ndal më tej në kategoritë që nuk përfitojnë nga kjo amnisti, si dhe bëri të ditur se amnistia do të pasohet me dy ligje të rëndësishme, të cilët do të  krijojnë kuadrin ligjor për luftimin e evazionit dhe kryqëzimin më të mirë të të dhënave, si dhe do të krijohet Regjistri i Llogarive Bankare dhe ai i Pronarëve Përfitues.

Deputeti Alket Hyseni gjatë relatimit të tij bëri të ditur se projekligji është tepër i rëndësishëm dhe i kërkuar nga qytetarët shqiptarë, por pas konsultimit dhe sygjerimeve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe ILDKPKI, ka disa problematika që duhen adresuar dhe kërkoi kohë për ti diskutuar dhe reflektuar në projekligj. Pas diskutimeve, komisioni miratoi vetëm në parim projekligjin në fjalë, për ta vijuar shqyrtimin nen për nen në mbledhjet e ardhshme.

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, u vijua me shqyrtimin nen për nen e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, nismë e dy deputetëve Artemis Malo dhe Edmond Leka.  Të ftuar në mbledhje ishte znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe z. Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i këtij institucioni, si dhe z.Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Projektligji u relatua për komisionin nga deputetja Vasilika Hysi. Në mbledhjen e mëparshme, ishin shqyrtuar dhe miratuar pjesa më e madhe e neneve dhe sot u vijua me shqyrtimin e dy neneve të mbetura. Pas diskutimeve dhe riformulime të bëra dhe të dakordësuara mes nismëtarëve, relatores dhe Autoritetit të Dosjes, projekligji në fjalë u miratua në tërësi nga shumica e deputetëve të pranishëm në mbledhjen e komisionit.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 30 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar, që u prezantua nga znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe znj.Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme. Znj.Rakacolli sqaroi se akti normativ parashikon penalitete për subjektet të cilat nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për mosofrimin e shërbimit në ambiente të mbyllura të bareve, lokaleve dhe restoranteve, si edhe parashikon penalitete për subjektet që nuk respektojnë detyrimin e mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdolloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura dhe gjithashtu parashikon ndalimin e muzikës në çdo mjedis shërbimi, duke synuar kështu parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Ndërsa znj.Kuko sqaroi se akti normativ parashikon si institucion përgjegjës për zbatimin e këtij akti, Policinë e Shtetit, e cila tashmë ka hartuar një plan masash të detajuar, për monitorimin sistematik të subjekteve. 

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi aktin Normativ në fjalë.

Më tej në cilësinë e komisionit përgjegjës, u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i cili u prezantua nga z.Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua për komisionin nga deputetja Klotilda Bushka. Ministri Klosi theksoi se ndryshimet ligjore vijnë në kuadër të nismës për krijimin e industrisë së turizmit dhe detit në Shqipëri, por dhe në kuadër të përgatitjeve finale për hartimin e një projekligji të posaçëm për menaxhimin e vijës bregdetare. Sipas z.Klosi projekt-akti ka për qëllimin plotësimin e kuadrit ligjor ekzistues mbi pronat e paluajtshme të shtetit, duke parashikuar dispozita për përkufizimin dhe identifikimin e bregut e detit, si pronë publike, mbrojtjen e posaçme të bregut të detit, si një nga pasuritë me interes të lartë publik, e cila përfshin sipërfaqen e tokës përgjatë vijës bregdetare, që është pronë publike e patjetërsueshme.

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sygjerimeve, projekligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

I fundit në rendin e ditës ishte shqyrtimi i projekligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili u prezantua nga znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe znj. Pranvera Fagu, Drejtoreshë e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe u relatua për komisionin nga deputetja Klotilda Bushka. Znj.Ikonomi u shpreh se qëllimi i këtij projektligji është krijimi, funksionimi dhe administrimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues, në funksion të së cilës përkufizohet termi “pronar përfitues” i subjekteve të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë detyrimin ligjor të regjistrojnë pronarin përfitues duke rregulluar të drejtat dhe detyrimet përkatëse të tyre. Më tej znj.Ikonomi shtoi se rregullohet procedura dhe mënyra e mbajtjes të të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe parashikohen masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues apo mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të përcaktuara nga ky ligj.

Pas diskutimeve dhe sygjerimeve për riformulimi e neneve të caktuara, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share