Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Profesorit Sabit Brokaj: Politikan i vyrtytshëm, trim i mendjes e veprimit, patriot i madh

  • Postuar më, 13/09/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka drejtuar sot një mesazh ngushëllimi familjes së Profesorit Sabit Brokaj, pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe poitikanit të njohur.

“Të dashur Mira, Inesa dhe Krenar,

Me dëshpërim e dhimbje të thellë mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Sabitit, bashkëshortit e prindit  tuaj të shtrenjtë dhe kolegut e shokut tim të dashur.

Sabit Brokaj ishte  një ndër personalitetet e mjeksisë shqiptare, me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e shërbimit të kardiologjisë, dhe për të cilin ka fituar mirënjohjen e kolegëve dhe të qytetarëve.

Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i vyrtyteve më të larta të shqiptarëve.

Si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, shkëlqeu për përkushtimin e pashoq, arsyetimet e thella, logjikën e pakundërshtueshme, oratorinë dhe elokuencën, por edhe thjeshtësinë mbresëlënëse dhe lidhjet e pandshme me njerëzit.

Si dekan i Fakultetit të Mjeksisë, profesor Sabiti kontribuoi për modernizimin e mësimdhënies e të formimit të mjëkëve të rinj shqiptarë me dijet e shprehitë bashkëkohore.

Si  Ministër i Shëndetësisë, u shqua për drejtimin e mençur përballë sfidave të mëdha që kërkonte mbrojtja e shëndetit të popullit, në rrethana tepër të vështira.

Si Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në një ndër periudhat më kritike për vendin, kontriboi në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe vendet e BE-së.

Sabiti do të na  mungojë gjatë të gjithëve, por boshësinë e krijuar me ikjen e tij të parakohshme, do të mbushin kujtimet e respekti dhe nderimi për këtë bir të shquar të Shqipërisë e të Labërisë, për këtë trim të mendjes e të veprimit, për këtë patriot të madh, për këtë  njeri të jashtëzakonshëm, që u shërbeu familjes, atdheut dhe njerëzve deri në çastet e fundit të jetës.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në letrën e ngushëllimit drejtuar familjes së Profesorit Sabit Brokaj.


Share