Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017””

  • Postuar më, 15/09/2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017””.

 Të ftuar në mbledhjen e  sotme të komisionit ishin znj. Adela Xhemali zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, znj, Kesjana Halili drejtoresha e përgjithshme e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të ndihmës së Huaj, si edhe përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit znj. Aurora Alimadhi zëvendësdrejtor ekzekutiv.

Zëvendësministrja Xhemali u shpreh se qëllimi i projekt aktit është ndjekja e procedurave ligjore të denoncimit të kësaj marrëveshje.

“Bazuar në parashikimet e marrëveshjes së huas, fondet e akorduara nëpërmjet saj bëhen efektive me njoftimin me shkrim të huadhënësit. Duke qenë se si rezultat i projekteve të tjera të konektivitetit në proces zbatimi nga agjencia zbatuese (FSHZH), përmbushej qëllimi fillestar i projektit, u kërkua që huadhënësi të përcillte letrën e përfundimit të marrëveshjes së huas për shkak të mos bërjes efektive të saj. Nga huadhënësi jemi njoftuar për terminimin e marrëveshjes në fjalë. Komunikimet shkresore mes palëve janë pjesë e këtij projekt akti.”- tha ndër të tjera znj. Xhemali.

Pas diskutimeve, sugjerimeve dhe komenteve të ndryshme, kryetarja e komisionit znj. Milva Ekonomi e hodhi projektligjin në votim ku u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi. 


Share