Komisioni për Integrimin Evropian zhvilloi mbledhjen e parë të sesionit të ri parlamentar. Ministri Cakaj prezantoi planin e veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian

  • Postuar më, 15/09/2020

15 shtator 2020

 

Komisioni parlamentar për Integrimin Evropian zhvilloi sot mbledhjen e parë të sesionit të ri parlamentar në drejtimin e kryetares Rudina Hajdari. Në mbledhjen e sotme ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme paraqiti planin e veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit Evropian të 25 marsit 2020 dhe u diskutua lidhur me projektrezolutën “Për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian”.

Ministri Cakaj prezantoi për anëtart e komisionit planveprimin e diskutuar më parë edhe në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian. Z. Cakaj vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit qeveri-parlament dhe rikonfirmoi se pavarësisht diskursit në Kuvend, orientimi pro-evropian i Shqipërisë mbetet i palëkundur.

Z. Cakaj u shpreh se për plotësimin e rekomandimeve po punohet në dy drejtime: në drejtim të bashkëpunimit me institucionet evropiane me rol të rëndësishëm në përcaktimin e kornizës së këtij procesi dhe në drejtim të procesit teknik të përgatitjeve.

Lidhur me drejtimin e parë, ministri Cakaj theksoi se pas hapjes së bisedimeve përmes “po-së” së kushtëzuar, për marrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe për negocimin e kapitujve ka një listë kushtesh. Sipas ministrit, ka filluar procesi teknik i përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe ka nisur informimi i Komisionit Evropian lidhur me të dhënat relevante të zhvillimeve teknike në vend. Lidhur me këto procedura teknike, ministri bëri me dije se po punohet intesivisht lidhur me hendekun legjislativ mes legjislacionit evropian dhe shqiptar, si çështje thelbësore para kornizës negociuese. Më 1 korrik, u shpreh ministri, është diskutuar lidhur me kornizën negociuese, diskutim ky që vazhdon me presidencën gjermane e ku pala shqiptare është në pritje të pakos së re të zgjerimit të Komisionit Evropian dhe planin e investimeve për Ballkanin Perëndimor. Miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do t’u japë palëve një skicë të qartë se si të veprojnë dhe drejtohen me agjendën evropiane.

Si drejtim të dytë të orientimit të punës ministri Cakaj theksoi “detyrat e shtëpisë”. Ai u shpreh se ministria e Punëve të Jashtme mban komunikim intensiv me Komisionin Evropian, duke dhënë kontributin për raportin e ardhshëm të progresit. Me rëndësi sipas tij të ketë prova të tjera shtesë që Shqipëria i plotëson kushtet. Me rëndësi në këtë drejtim për ministrin Cakaj ishte edhe përvijimi i procesit të “Screening-ut”. Ministri saktësoi se jo të gjitha kushtet, ndër 15 të tilla, janë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, një pjesë janë edhe për kornizën e negociatave dhe pjesa tjetër si parakushte për hapjen e kapitujve të negocimit sipas metodologjisë së re. Ndër kushtet imediate, z. Cakaj listoi reformën elektorale ku përmendi hapat pozitiv të ndërmarrë sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, sigurimin e kuorumit në Gjykatë Kushtetuese, plotësimin e vakancave në Gjykatë të Lartë dhe fillimin nga puna të SPAK-ut, kusht që e cilësoi të plotësuar. Z. Cakaj theksoi se plani përmban pasqyrim të të gjitha rekomandimeve dhe afateve përkatëse, për aq sa është e mundur dhe aty ku është e mundur, pasi shumë çështje kanë karakter dinamik e do të vijojnë përgjatë gjithë procesit.

Në përfundim të paraqitjes së planit nga z. Cakaj deputetët e komisionit ngritën pyetjet dhe diskutimet e tyre dhe lidhur me projektrezolutën që komisioni duhet të paraqiste. Gjithashtu, u dakordësua mes pjesëmarrësve që deri në mbledhjen e ardhshme të sillen komentet përkatëse mbi draftin paraprak, për t’u bërë pjesë e mbledhjes së ardhshme për diskutimin dhe miratimin e tij.  


Share