Anëtarët e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, vizitë në Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore

  • Postuar më, 15/09/2020

Kryetari i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, z. Enver Roshi, së bashku me anëtarët e këtij komisioni zhvilluan një vizitë në ambientet e Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore  për të njohur gjithë aktivitetin, gamën e punës dhe ndihmën që ka dhënë kjo Qendër që prej krijimit të saj, por sidomos në kushtet e përhapjes së virusit covid-19, në vendin tonë.
Kjo ishte dhe mbledhja e parë e këtij komisioni për sesionin e ri parlamentar.
Në ambientet e QKUM, anëtarët u pritën nga Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencave z. Skënder Brataj.
Z.Brataj në fjalën e tij bëri një ekspoze të punës së QKUM, qëllimi i së cilës është të bëjë të mundur përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe marrjen në kohë të çdo mesazhi të çdo qytetari, i cili ka nevojë për ndihmë emergjente si dhe orientimin e pacientëve për në institucionet e tjera vartëse të Ministrisë së Shëndetësisë, për trajtim më të kualifikuar. Për sa i përket funksionimit të 127-ës, z. Brataj theksoi : ”Nga data 9 Mars deri sot, drejt numrit 127 janë regjistruar gjithsej 472997 thirrje, me një mesatare ditore 2503, kurse vizita në shtëpi janë 73456 ose rreth 391 persona në ditë. Vetëm për covid-19 janë 128318 thirrje, të referuara për tampon 21503, kurse vizita për covid janë bërë 4811 nga të cilat 2348 janë dërguar në spital dhe 2463 janë trajtuar në banesë”
Më tej, z. Brataj iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve, në lidhje me gjithë punën e bërë nga QKUM, që nga krijimi i saj.


Share