Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim një projektligj dhe rrëzoi një dekret të Presidentit

  • Postuar më, 21/09/2020

21 shtator 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, në mbledhjen virtuale të radhës, rrëzoi një dekret presidencial dhe miratoi një parim projektligjin “Për metrologjinë”.                 

I pari në rendin e ditës ishte shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11.590, datë 10.08.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” të ndryshuar””, i cili u relatua për komisionin nga deputetja Klotilda Bushka. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin: z.Bledar Dervishaj dhe znj. Katrina Treska, nga institucioni i Presidencës, z.Ardian Kamenica dhe znj.Enerjeta Tarelli, nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe përfaqësues nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Znj. reska në mënyrë të përmbledhur paraqiti arsyet e kthimit për rishqyrtim nga Presidenti të ligjit, ku teksa renditi një sërë rezervash lidhur me modifikimet që i janë bërë ligjit aktual, u ndal tek mungesa e urgjencës së shqyrtimit të tij, pa zhvilluar konsultime paraprake. Më tej z. Ardian Kamenica, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, paraqiti kundërargumentet ndaj Dekretit të Presidentit. Pas diskutimeve, komisioni me shumicë votash rrëzoi Dekretin e Presidentit nr. 11.590 për kthimin e ligjit për pronat e paluajtshme të shtetit.
Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi projektligjin Për metrologjinë”, i cili u prezantua nga znj.Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputetja Elena Xhina. Teksa shpjegoi qëllimin e nismës ligjore, znj.Ikonomi theksoi se përtej përmirësimit të kuadrit rregullator për veprimtaritë në metrologjinë shkencore, industriale dhe ligjore, sipas praktikave më të mira evropiane;  synohet mbrojtja e konsumatorëve dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Pas miratimit në parim, znj. Xhina paraqiti disa sugjerime konkrete për nene të caktuara të projektligjit, të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës së komisionit. 


Share