Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, vizitë pune në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

  • Postuar më, 21/09/2020

Kryetari I Komisionit për Punën , Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë,z. Enver Roshi, së bashku me anëtarët e këtij komisioni, zhvilluan një vizitë pune  në Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, për të parë nga afër punën e bërë nga kjo agjensi dhe për t’u njohur me  problematikat e Farmaceutikës, në vendin tonë, vecanërisht në situatën e krijuar prej covid-19.

Znj. Narvina Sinani, Drejtoresha e Përgjithshme e A.K.B.P bëri një panoramë të punës së kësaj agjensie dhe sqaroi se Agjensia  Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore shërben për rregullimin e tregut farmaceutik, si atë privat dhe atë publik. Më tej znj Sinani bëri një ekspoze të menyrës së funksionimit të Agjensisë dhe sektorëve përkatës. “Misioni i kësaj Agjencie është i fokusuar ne drejtimet si: ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e detyrimeve që lidhen me farmakovigjilencën,miraton, sipas rregullave të parashikuara në ligj, formatin e publicitetit për barnat,bashkëpunon me institucione analoge jashtë vendit si dhe institucione të tjera brenda vendit, për çështje të ndryshme të fushës farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore,propozon, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës,kryen procesin e regjistrimit  bazuar në standardet e parashikuara, për pajisjet mjekësore dhe zhvillon procesin e inspektimit për barnat dhe pajisjet mjekësore, në përputhje me aktet ligjore dhe ato nënligjore” tha ndër të tjera znj.Sinani.

Më tej mbledhja vijoi me pyetje, komente  dhe sugjerime në lidhje me punën e bërë dhe atë që mund të bëjë në të ardhmen Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në mbështetje të punës së Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.


Share