Komisioni për Ekonominë dhe Financat, miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 22/09/2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi projektligjin  ““Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar ””.

Të ftuar për këtë projektligj ishin ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj,  dhe përfaqësues nga ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Alqi Kushi dhe z, Edmond Ahmeti.

Në prezantimin e projektligjit, ministrja Denaj u shpreh se ky projektligj është një format i duhur dhe një skemë e cila sjell jo vetëm më shumë mundësi financimi në sektorin e rëndësishëm të sportit.

“Është një skemë e qëndrueshme, transparente, dhe lejon që të ndiqet në të gjitha hallkat e saj edhe në raport me zbatimin dhe masave të tjera që qeveria ka në raport me formalizmin e këtyre masave.”, - theksoi znj. Denaj.

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve mes anëtarëve të komisionit dhe të ftuarve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.  Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Vasilika Vjero dhe z. Nikolla Lera drejtor i Drejtorisë së përgjithshme të Politikave të Makroekonomisë dhe Çështjeve Fiskale.

Në prezantimin e projektligjit znj. Vjero tha se i gjithë efekti që shoqëron këtë ndryshim ligjor është në masën rreth 350 milion lekë të ardhura të munguara për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe janë rreth 5.000 tatimpagues të cilët do të përfitojnë nga kjo lehtësi fiskale.

Relatori i këtij projektligji z. Ervin Bushati theksoi se ky projektligj i jep fryme më të mirë biznesit të vogël dhe familjeve shqiptare, dhe bëhet ky ndryshim për të ndihmuar sa më shumë qytetarë.

Pas konsultimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

 

Mbledhja u zhvillua nëpërmjet platformës online WebEx.

 


Share