Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvillon mbledhjen e parë të sesionit të ri parlamentar, miraton një projektligj

  • Postuar më, 22/09/2020

22 shtator 2020

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot në drejtimin e kryetarit, z. Ramazan Gjuzi, mbledhjen e tij të parë për sesionin e shtatë të kësaj legjislature. Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme u miratua projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Në mbledhjen e komisionit ishin të pranishëm: znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, z. Nikolla Lera, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë, Çështjeve Fiskale dhe Punësimit në MFE; z. Alqi Kushi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe z. Edmond Ahmeti, Drejtor i Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Kuadrit Rregullator në MASR.

 Znj. Vjero shkurtimisht bëri një prezantim të amendimit që po i bëhet ligjit aktual për TVSh-në dhe theksoi se qëllimi i tij është nxitja dhe lehtësimi i procesit të investimeve në infrastrukturën sportive. Zëvendësministrja Vjero sqaroi më tej se nisma e propozuar synon aplikimin e shkallës së reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSh-së), prej 6 përqind, për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve apo federatave sportive, për infrastrukturën sportive.  

Deputeti Fidel Ylli gjatë relatimit të tij propozoi që shkalla e reduktuar e TVSh-së, 6 përqind, të aplikohet edhe për investimet e subjekteve private në infrastrukturë dhe terrene sportive, me qëllim incentivimin e tyre për të investuar në këtë drejtim.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për miratim seancës plenare. Për shkak të masave protokollare të ndjekura edhe përgjatë sesionit paraardhës, mbledhja e sotme e komisionit,  u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”. 

 


Share