Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Koordinatoren e re të OKB-së, znj. Fiona McCluney: Inkurajojmë nismën e OKB-së mbi mbështetjen e Ballkanit Perëndimor

  • Postuar më, 14/10/2020

14 tetor 2020

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Koordinatoren e re të Përhershme të OKB-SË në Shqipëri, Znj. Fiona McCluney, me rastin e fillimit të detyrës së saj në Tiranë.

Z. Ruçi shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë dhe OKB-së si edhe gadishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe vlerësoi mbështetjen e institucioneve shqiptare dhe shtresave më të prekshme të popullsisë, për të luftuar COVID-19.

Shqipëria vlerëson përkrahjen e OKB-së për progresin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm në Shqipëri. Shqipëria miratoi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, së bashku me të gjitha shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara, në shtator të vitit 2015. Me krijimin e Fondit të Përshpejtimit të këtyre Objektivave, që nënvizon partneritetin e Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kombeve të Bashkuara, po kontribuohet në përshpejtimin e realizimit të tyre. Kuvendi ka miratuar një rezolutë mbi Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm në Shqipëri, në dhjetor 2017.  Në shkurt 2020 Kuvendi ngriti nënkomisionin “Për zhvillim të qëndrueshëm”, i cili funksionon në përbërje të Komisionit të përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

“Shqipëria inkurajon nismën e fundit të OKB-së mbi "Mbështetjen e Dialogut, Ndërtimin e Besimit dhe Pajtimin në Ballkanin Perëndimor". Filozofia e nismës së OKB-së është e lavdërueshme dhe shkon me frymën e zgjidhjes së çështjeve rajonale, të së kaluarës dhe të tashmes, përmes dialogut. Të gjithë duhet të përpiqemi ta bëjmë atë të suksesshëm.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Koordinatorja e re e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Znj. Fiona McCluney, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për angazhimin institucional dhe personal si edhe rolin e tij konstruktiv në hartimin e legjislacionit shqiptar si edhe bashkëpunimin me organizatat e sistemit të OKB-së. Ajo shprehu vlerësimin që reforma zgjedhore, përveç çështjeve të tjera, ka arritur të garantojë edhe barazinë gjinore në përfaqësimin në Kuvendin e Shqipërisë dhe vuri në dukje punën e lavdërueshme të Kuvendit dhe të Kryetarit Ruçi për ratifikimin e konventave ndërkombëtare dhe hartimin e legjislacionit në mbështetje të të drejtave të njeriut, fëmijëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve. 

 

 

 

 


Share