Ministri i Brendshëm thirret në interpelancë nga deputeti Lefter Maliqi, situata e kriminalitetit në qendër të diskutimeve

  • Postuar më, 15/10/2020

15 tetor 2020


Seanca plenare nisi sot punimet e saj me zhvillimin e interpelancës e kërkuar nga deputeti i opozitës parlamentare, z. Lefter Maliqi, me ministrin e Brendshëm, z. Sandër Lleshaj. Z. Maliqi parashtronte në kërkesën e tij për interpelancë çështjet si: situata shqetësuese e kriminalitetit në vend, funksionimi i strukturave të Policisë së Shtetit dhe rezultatet e parandalimit dhe zbulimit të krimeve, ngjarjet e rënda kriminale në disa qytete të vendit, rezultatet e dobëta të vetting-ut në Polici, rezultatet e dobëta në lidhje me kultivimin dhe trafikun e kanabisit dhe çështjeve të tjera që lidhen me parandalimin dhe zbulimin e krimit, respektimin e te drejtave dhe detyrave të Policisë së Shtetit. Në parashtrimin e kërkesë-interpelancës në foltoren e Kuvendit, z. Maliqi u shpreh se humbjet e jetëve nga veprimtaritë kriminale, të mediatizuara ditët e fundit, vinin si pasojë e paaftësisë parandaluese të strukturave policore. Ai shtoi problemin e pandëshkueshmërisë së oficerëve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, pas procesit të vetting-ut policor. Z. Maliqi ngriti edhe akuza për veprime korruptive brenda strukturave policore dhe rezultatesh të dobëta si në luftën kundër krimit të organizuar, rendit dhe sigurisë në vend, ashtu edhe në drejtim të kultivimit dhe trafikut të kanabisit.

Ministri Lleshaj, në fjalën e tij, kundërshtoi pretendimin e deputetit Maliqi se Shqipëria është duke jetuar një situate të vështirë me krimin, në të kundërt, ai solli të dhëna statistikore dhe krahasimore për kriminalitetin për të dëshmuar situatën e mirë në këtë drejtim. “Nuk mohoj ngjarjet e rënda kriminale, por ftoj ata që e kane seriozisht shqetësimin për sigurinë, që të mundohen të kuptojnë tendencën e kriminalitetit në Shqipëri. Të gjithë treguesit negativë të sigurisë në vend janë në rënie të panjohur më parë e se ruajtja e këtyre tendencave është objektivi ynë kryesor”,- u shpreh ministri Brendshëm. Ai shtoi se goditja dhe zbulueshmëria kanë ardhur në rritje. Z. Lleshaj citoi një studim të një instituti të pavarur suedez, sipas të cilit 75% e shqiptarë ndjehen më të sigurt edhe në orare dhe vende ku më parë hasnin vështirësi. Ministri vuri theksin te nevoja për mos e ushqyer mediatikisht psikozën e pasigurisë në vend. Ai shtoi të dhëna të tjera të luftës kundër krimit të organizuar, si edhe citoi njohjen e hapave pozitivë në këtë drejtim nga raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë. “Krimi është fenomen social edhe në kriminologji, jo produkt policor”, u shpreh z. Lleshaj, duke e dënuar qasjen për fajësimin policor pas çdo ngjarjeje, duke theksuar nevojën e policisë për mbështetje e jo sulme politike në luftën kundër krimit. Lidhur me menaxhimin e luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, sukseset e përpjekjeve, z. Lleshaj i argumentoi përmes vërejtjes së kultivimit të parcelave në parcela gjithnjë e më të vogla e më të thella, sasitë në nivele të ulëta të kapura nga vendet e destinacionit, shtimin e volumit të monitorimit nga palët e treta si edhe me çmimin në nivelet më të larta historike për kilogram.

Pas interpelancës së ministrit, seanca plenare vijoi punimet normalisht me pikat e tjera të rendit të ditës. 


Share