Kuvendi u mblodh në seancë plenare. Miratohen gjashtë projektligje

  • Postuar më, 15/10/2020

15 tetor 2020

Pas interpelancës së kërkuar nga deputeti Lefter Maliqi me ministrin e Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e pikave të tjera të diskutimit të rendit të ditës. Seanca miratoi sot gjashtë projektligje: “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 9632, dt. 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar” , “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014” Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH”, të ndryshuar”,“Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” të ndryshuar””, “Për metrologjinë”, “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të kënaqësisë, me motor me fuqi mbi 30 kv ose 40.8 kf dhe tonazh nën 150 GT”.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr. 9632, dt. 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” të ndryshuar”, gjeti mbështetje dhe dakordësi parimore në diskutimet e mazhorancës dhe opozitës parlamentare, duke e vënë theksin në dy synimet e këtij projektligji: realizimin e reformave të mëtejshme të ndërmarra së fundmi nga qeveria në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe lehtësimin e barrës fiskale të asaj kategorie biznesi e cila konsiderohet me vulnerabël ndaj situatës të vështirë financiare të krijuar nga COVID-19, nëpërmjet zerimit të shkallës së tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Në përfundim të këtij diskutimi ky projektligj u miratua me 92 10 k 6 abs Të njëjtën mbështetje parimore, nga diskutuesit e të gjitha grupeve parlamentare gjeti edhe projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014” Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH”, të ndryshuar”. Parashikimi i këtij ndryshimi për trajtimin me shkallë të reduktuar 6 për qind për furnizimin e shërbimit të punimeve të ndërtimit, për investimet në infrastrukturën sportive, të përcaktuara në legjislacionin e fushës për sportin, gjeti mbështetjen me 90 vota pro, 10 vota kundër dhe 6 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, nismë e kryetarit të grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla, sipas diskutantëve të shumicës parlamentare, përmbush nevojën për përafrim të plotë të legjislacionit kundër diskriminimit me aktet e BE, mundëson përfshirjen në ligjin e mëparshëm të rekomandimeve për ndryshim legjislacioni të lëna ndër vite nga organizatat ndërkombëtare, por edhe ato të nxjerra nga përvoja e Komisionerit të fushës përkatëse. Një theks në diskutimet parlamentare të kësaj pike u vu te prirjet misogjine dhe gjuha e dhunës, që ka dalë nga disa drejtues të lartë institucionesh kundër grave në politikë. Lidhur me projektligjit, mbështetja në diskutimet parlamentare ishte e plotë, duke e parë si nevojë përmirësimin në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi. Në përfundim të diskutimeve, projektligji u votua me 95 vota pro, 6 kundër 5 abstenim.  

Edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” të ndryshuar””, nismë e deputeteve të Partisë Socialiste, znj. Klotilda Bushka dhe znj. Eglantina Gjermeni, gjeti dakordësinë në diskutimet e parlamentarëve të të dy krahëve, shumicë dhe opozitë. Nëpërmjet kësaj nisme ligjore, sipas relacionit shoqërues të nismës së dy deputeteve, synohet reduktimi i rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare e në njësinë shtëpiake dhe mbrojtja e veçantë e pa diskriminim e çdo grupi që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje; bëhet i mundur parashikimi i masës së largimit nga banesa të dhunuesit si masë më vete dhe të zbatueshme detyrimisht në çdo rast, sigurohet sanksionimi i masave rehabilituese ndaj dhunuesit me fokus të veçantë dhunuesit e alkoolizuar, të droguar ose me probleme të shëndetit mendor dhe monitorimi i ecurisë së zbatimit te tyre. Në përfundim të diskutimeve ky projektligj u miratua me 100 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenim.

Seanca e sotme miratoi edhe dy projektligje të tjera, “Për metrologjinë” me 89 vota pro, 13 kundër, 6 abstenim dhe ““Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të kënaqësisë, me motor me fuqi mbi 30 kv ose 40.8 kf dhe tonazh nën 150 GT” me 84 vota pro, 14 kundër dhe 10 abstenim.  

Në zbatim të masave protokollare anti-Covid, edhe mbledhja e sotme u Kuvendit u zhvillua nën rregulla të veçanta.

 


Share