Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit Faslli Haliti: Modest dhe modern, krijoi dhe na la kozmogoninë e tij poetike

  • Postuar më, 16/10/2020

16 tetor 2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit Faslli Haliti.

“Faslli Haliti ishte një shkrimtar dhe poet i shquar i Shqipërisë, që me talentin, bindjet dhe pasionin e tij i dha kulturës kombëtare krijime e vlera të spikatura. Haliti ishte një poet origjinal dhe me origjinalitetin e tij ndihmoi në ndryshimin e poezisë dhe të kulturës shqiptare. Modest dhe modern, tragjik dhe madhështor njëkohëisht, la shënja të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Ai “përktheu”në art mençurinë popullore dhe me krijimtarinë antidogmatike Haliti krijoi një kozmogoni poetike mjaft të pasur.

Me shpirtin e tij prej demokrati të vërtetë, ai e “përktheu” demokracinë e motiveve të artit të vet në një shërbim publik, duke kontribuar për katër vjet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Laboratori i tij krijues dhe trashëgimia kulturore e qytetare janë një pasuri e madhe që Faslli Haliti u la kulturës kombëtare dhe brezave të ardhshëm.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

 


Share