Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi një akt normativ dhe dy projektligje

  • Postuar më, 19/10/2020

19 tetor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja në mbledhjen e radhës shqyrtoi  një akt normativ dhe dy projekligje.  Në cilësinë e komisionit përgjegjës u shqyrtua fillimisht Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 31, datë 7.10.2020 “Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”, i cili u relatua nga deputetja Klotilda Bushka.

Të ftuar në mbledhjen e sotme ishin znj.Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme, znj.Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe znj.Merita Xhafaj, Drejtoreshë e Përgjithshme në MSHMS.

Znj.Kuko sqaroi se nisma është iniciativë e përbashkët e 3 ministrive dhe synon faljen e masave administrative të vendosura gjatë periudhës së pandemisë, por edhe ato të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj famijeve të prekura nga tërmetet e datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 për riparimin/rindërtimin e banesave individuale.  Znj.Klotilda Bushka gjatë relatimit për komisionin vlerësoi se Akti Normativ është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Pas diskutimeve komisioni miratoi më shumicë votash Aktin Normativ në fjalë dhe ia kaloi për miratim seancës plenare.

Më tej në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s për realizimin e projekteve të Kuçovës të financuara nga Programi i Investimeve të NATO-s për Sigurinë vitet 2019-2022”.

I ftuar në mbledhjen e komisionit ishte z. Petro Koçi, zëvendësministër i Mbrojtjes, i cili u ndal tek rëndësia e marrëveshjes me Nato-n, që sipas tij do të ndikojë në modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike (TACAIR) të NATO-s.

“Baza e Kuçovës duke u rindërtuar në standardet e NATOS- dëshmon edhe njëherë rëndësinë politike që ka Republika e Shqipërisë në Rajon, por edhe në kuadër të vetë NATO-s, ajo thekson edhe njehërë mirëbesimin që ka NATO për rolin e Shqipërisë për paqe dhe siguri në rajon dhe nga ana tjetër është një mirënjohje për kontributet e Shqipërisë në misionet ndërkombëtare”, theksoi z.Koçi.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Komisioni më tej nisi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për censin e popullsisë dhe të banesave”, i cili u prezantua nga z. Agron Tare, zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme dhe znj.Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT.

Znj.Dhuli gjatë prezantimit u ndal mes të tjerash tek efektet e pritshme të censusit të radhës së popullsisë dhe banesave.  “Treguesit statistikor, jo vetëm do të mundësojnë një panoramë të përditësuar dhe reale mbi situatën demografike dhe sociale në vend, por do të përdoren gjithashtu edhe për zhvillimin e planeve sociale -ekonomike, vendimarrjen, kushtet e aksesit në vendbanime, kërkime shkencore më të thelluara, etj” , u shpreh znj.Dhuli.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme , komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvilluar përmes platformës virtuale “Cisco Webex”.

 


Share