Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore me 12 rektorët e universiteteve publike për vitin e ri akademik

  • Postuar më, 20/10/2020

20 tetor 2020

Në drejtimin e kryetarit z. Ramazan Gjuzi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me 12 rektorët e universiteteve publike, të cilët dhanë shpjegime për çështje që lidhen me vitin e ri akademik 2020-2021 dhe përmbylljen e vitit aktual, i cili u shty për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Rektorët e Universiteteve paraqitën punën e bërë deri më tani jo vetëm për përballimin e sfidave të krijuara nga COVID-19, por dhe ato që lidhen me përmirësimin e programeve të studimit, kushteve të mësimdhënies, kërkimit shkencor, si dhe ambjenteve mësimore. Krerët e arsimit universitar publik detajuan masat që janë marrë për krijimin e një normalitet të ri me fillimin e vitit akademik në të tre nivelet, si dhe është përgatitur një skenar për organizimin e mësimit në formën mikse.

Ndër problematikat e ngritura nga rektorët ishin edhe ri-ndërtimi i godinave të dëmtuara nga dy tërmetet e vitit të kaluar. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata kërkoi mbështetjen e qeverisë nga fondet e rindërtimit, pasi fatura financiare është e papërballueshme nga Universiteti.  Më tej rektorët iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve të komisionit .

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, “Cisco Webex”. 


Share